KORÇË

Detaje të reja nga ngjarja e rëndë e zbuluar ditën e djeshme në fshatin Progër të Devollit, ku dy gra u vranë nga një bashkëfshatar i tyre.

Sipas asaj që ka deklaruar vetë autori Ali Zili në polici, vrasja e dy grave është kryer një ditë përpara se të zbulohej ngjarja makabre nga fqinja si fillim e cila ka shkuar për t’iu çuar mollë viktimave dhe më pas nga kryeplaku i fshatit.

Sipas dëshmisë pas vrasjes së kryer, Zili është larguar nga fshati drejt qytetit të Korçës ndërsa atë mbrëmje nuk është paraqitur fare në banesën e tij

Sapo ka zbardhur dita, Zili ka shkuar në një dyqan rrobash në qytetin e Korçës dhe ka blerë veshje të reja për të fshehur gjurmët e krimit, më pas rrobat e gjakosura të paketuara në një qese ia ka falur një endacaku të cilat janë sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.

Autori përpara grupit hetimor ka pranuar krimin me pretendimin se dy viktimat nuk i kishin shlyer lekët e druve të zjarrit.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se shtëpia e viktimave ka qenë totalisht e kthyer përmbysë, çka tregon se autori ka kërkuar në çdo cep të shtëpisë për gjetjen e ndonjë të holle ndërsa deri më tani nuk konfirmohet asnjë borxh i viktimave ndaj autorit. Pista e hetimit është ajo e grabitjes.

Në trupin e tij autori ka pasur shenja të shumta (duar, qafë dhe fytyrë), çka tregon rezistencën e viktimave ndaj autorit.

Autori është i njohur si një njeri i dhunshëm dhe agresiv ndërsa edhe nga vëllai i tij është denoncuar disa herë për dhunë ndaj tij.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb