Një nga dëshmitarët e gjyqit  të çështjes së 21 prillit 2021 ku u vra mjeku Pjerin Xhuvani dhe mbeten te plagosur disa persona është arrestuar në sallën e gjyqit ditën e djeshme.

“Balkanweb” mëson se bëhet fjalë për shtetasin Donald Zane.

Ai ka dëshmuar në gjyq për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, po është arrestuar, pasi dyshohet se ka dhënë dëshmi të rremë.

Donald Zane është shok i ngushtë i Mehmet Grecës dhe ditën e vrasjes, në vendngjarje ndodhej në të njëjtën makinë me të, kur Greca u ndalua nga Struktura e Mbrojtjes së Votës grup i ngritur nga Partia Demokratike, ku bënte pjesë dhe i pandehuri Arbër Paplekaj.

Gjithashtu Zani, dje ishte i vetmi dëshmitar në sallën e gjyqit nga dhjetë personat e thirrur për të dëshmitar, ndërsa nëntë të tjerët nuk u paraqitën.

Sakaq, pritet që të krahasohen në çdo detaj deklarimet e dhëna nga dëshmitari para prokurorëve të çështjes me ato të dhëna në sallën e gjyqit.

Në deklaratën e parë Zane ka treguar detaje dhe emra të personave që kanë vepruar në momentin kur ndodhi vrasja e Pjerin Xhuvanit, detaje të cilat përputheshin edhe me pamjet filmike nga vendi i ngjarjes. Ndërsa gjatë seancës kur u thirr nga gjykata si dëshmitar okular, Zane ka mohuar gjithçka duke thënë se në momentin e ngjarjes ka qenë pas një dyqani rrobash dhe nuk ka parë asgjë. Aktualisht ai ndodhet i shoqëruar në polici ku pritet të dali para gjykatës për shkeljen e kryer.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb