Zëvendës miniistri i Brendshëm Besford Lamallari, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, foli ndër të tjera edhe për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.

Llamallari theksoi se vrasja e Xhuvanit njollosi procesin zgjedhor në vend.

“Për një muaj isha në postin e titullarit në Ministrinë e Brendshme. Detyrën e mora në kohë zgjedhjesh dhe MB është akuzuar në tërësi se përfshihet në zgjedhje, por garantoj se strukturat tona nuk kanë përfshirje të asnjë lloji. Subjektet politike vazhdojnë me akuzat, edhe pse Policia e Shtetit vlerësohet edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Çdokush që ka diçka ndaj policisë, mund të shkojë në SHÇBA ose në Prokurori.

Ngjarja ishte kriminale në Elbasan, që për fat të keq njollosi procesin zgjedhor. Ishte reminishencë e së shkuarës, ku politika përherë ka ndërhyrë në procese zgjedhore. Ka pasur nxitje dhune, apo përdorimi i njerëzve si mish për top ose krijimi i strukturave që nuk janë normale për Shqipërinë e 2021. Elbasani ka një kriminalitet normal, diku tek 7 përqind”, tha Llamallari.

Besford Lamallari shtoi se Policia e Shtetit ka ngritur grup hetimor në qytete problematike në lidhje me krimin si Elbasani dhe Vlora.

“Grupet kriminale janë aktive brenda dhe jashtë vendit. Policia është për të garantuar siguri dhe besim tek publiku. Sot Europa po kërcënohet nga krimi i organizuar, kryesisht nga trafiku i drogës. Janë rreth 180 shtetasi të grupeve kriminale që veprojnë në BE.

Europol shprehet se lufta mes bandave të trafikut të drogës është po ashtu e madhe. Krimi i organizuar është kthyer problem jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Holandë, Itali etj. Ka edhe vrasje që lidhen me ndërveprimet e grupeve kriminale, por për çdo rast duhet hetuar deri në fund. Kemi ngritur grup hetimor në Elbasan dhe në Vlorë dhe po bashkëpunojmë me Europol”, u shpreh Lamallari.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb