Në studion e emisionit “Open” po diskutohet mbi ngjarjen që ndodhi mbrëmë në Komisariatin numër 3 në kryeqytet, ku efektivi Ludian Zaimi qëlloi 6 herë me armë kolegun e tij Çaush Saliasi, duke e lënë të vdekur.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço tha se kjo vjen nga problemet e shfaqura në akademinë e policisë dhe mosndjekja e problemeve psiko-fizike që këta persona shfaqin.

“Ne kemi trazirë të madhe për shkak të dhunës së ushtruar në polici. U bë një studim në Amerikë dhe dolën në përfundimin që 70% ë këtyre njerëzve vinin të rekrutuar nga luftëra në Afganistan dhe Irak. Ne kemi problem në akademinë e sigurisë. Akamdeia ka probleme te filtrimi psiko-social. Në akademi të gjithë diplomohen, askush nuk ngel. Kjo vazhdon edhe në punë. Ne kemi 22 psikologë në të gjithë territorin e Policisë së Shtetit. Përgjegjësia është filtri akademik, problemet psiko-sociale. Duhet t’i dimë këto. Veterani i vjetri e tall të riun”, tha Karamuço.

Nga ana tjetër, gazetari Jul Kasapi tha se të bëhesh efektiv në vendin tonë është bërë shumë e thjeshtë dhe nënvizoi se mungojnë trajnimet.

“Që nga mënyra e rekrutimit, shkolla bazë e Policisë është bërë 6 muaj. Në vendin tonë të bëhesh efektiv policie s’është modë, por përgjegjësi, aq më tepër kur ke një armë në brez. Kemi efektivë policie që vret në mes të marketit. Kemi efektivë policie që të vret dhe në rrugë. Këto janë përtej imagjinatës. Kjo ngre dhe pikëpyetje të mëdha te rekrutimi dhe trajnimi i këtyre personave”, tha Kasapi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb