Pas Elbasanit e Korçës edhe avokatët e Lushnjes, Beratit dhe Durrësit solidarizohen me kolegët dhe protestojnë pas vrasjes së avokatit të njohur Ravik Gurra. Ata kanë marrë vendimin të bojkotojnë për 3 ditë proceset gjyqësore.

Për tre dite palët mbrojtëse do të braktisin të gjitha proçeset gjyqësore në Gjykatën e Lusnjes Beratit, përveç masave të sigurimit. Ky vendim vjen si solidarizim me të gjithë avokatët e Shqipërisë.

Kryetari i Dhomës së Avokatisë Berat, Agron Mahmutaj ka deklaruar se dhoma e avokatisë Berat do të përkrahë dhe solidarizohet me vendimin e ndërmarrë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë disa ditë më parë. Sipas Mahmutajt, me vrasjen e avokatit Ravik Gurra është në rrezik institucioni i avokatit dhe të gjithë avokatët në vend ndihen të kërcënuar për jetë e tyre.

“Akt shumë i rëndë që nuk pranohet për cilindo qytetar jo më për një avokat. Avokatët kanë një mision shumë të shenjtë, misionin që të mbrojnë qytetarët nga padrejtësitë dhe në fund ndodh që të përfundojnë vetë në padrejtësi të tilla”, thotë avokati Gramoz Lika nga Durrësi. Sipas tij, vrasja e kolegut Gurra tregon që shteti nuk e ka kryer detyrën ndaj edhe bojkoti vjen si një thirrje për më shumë siguri ndaj drejtuesve të shtetit. Lika tha se avokatët e Durrësit janë në pritje të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe asaj të qytetit bregdetar në lidhje me këtë çështje. Kujtojmë që më 20 korrik 2018, në qytetin e Durrësit u dhunua avokati Ilia Ilia para institucionit të Prokurorisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi 5 ditë më parë pranë një lokali të njohur në qendër të qytetit të Elbasanit. Autori dyshohet se ka qene i maskuar. Viktima, Gurra, që njihet për mbrojtjen e çështjeve të bujshme si ajo e Çapjave dhe Shullazit, ka qenë i ulur në ambientet e lokalit jashtë kur është qëlluar pas koke. Ai ishte i shoqëruar me dy persona të tjerë në tavolinë, njëri prej tyre gjithashtu avokat. Autori që e ka qëlluar me pistoletë është larguar me një mjet që është gjetur i djegur në dalje të qytetit të Elbasanit. Policia ka ngritur postblloqe për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.

Ravik Gurra, babai i dy fëmijëve, prej vitesh bënte një jetë mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, ku jetonte bashkë me familjen që prej vitit 1998. Dy çështjet më të rëndësishme që 50-vjeçari ka mbrojtur në vendin tonë lidhen me fisin Çapja në Elbasan si dhe Emiljano Shullazin në Tiranë. Përveç Shqipërisë, Gurra ushtronte profesionin e avokatit dhe në Angli, ku kishte themeluar zyrën, ku kryesisht merrej me çështje të emigrantë shqiptarë në Britani.

HETIMET
Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ku ndodhen dhe shumë institucione publike. Gjithçka ka qenë shumë e shpejtë sa dhe miqtë e tij dhe dëshmitarë në ambientet e jashtme të lokalit kanë menduar se avokatit i kanë rënë të fiktë kur e panë të shtrirë në tokë.

Hetuesit kanë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit që autorët kanë përdorur për t’u larguar në mënyrë që të arrijnë në identifikimin e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ka dyshime të forta se autori është paguar, ndërsa konsiderohet vrasje për shkak të detyrës.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb