Gjenerali Michael D Barbero zhvilloi këtë paradite një takim me deputetë dhe ish-deputetë shqiptare, ku në fokus të diskutimit ishte tensioni mes Iranit dhe SHBA, pas vrasjes së gjeneralit iranian, Qassem Suleiman, nga trupat amerikane.

Gjenerali vlerësoi veprimet e Presidentit Donald Trump, duke e cilësuar vrasjen e iranianit si ngjarjen më të rëndësishme, pas vrasjes së Osama Bin Laden dhe liderit të ISIS, Al Bagdad. Sipas tij, gjenerali iranian ishte një kriminel ndërkombëtar, që drejtonte sulmet dhe luftën në Lindjen e Mesme.

“Kam qenë 4 vjet në Irak, deri më 2011 isha si oficer i gjeneral Petreas, dhe më pas u riktheva si komandant i NATO-s për të punuar me forcat ushtarake të Irakut. Jam mirënjohës për atë që Qassem Suleimani ka bërë. Sulmi për të vrarë atë ishte mjaft i rëndësishëm, mendoj se ishte më i rëndësishëm se vrasja e Osama Bin Laden, apo AL Bagdad. Ai ishte personi i dytë më i fuqishëm në Iran dhe arkitekti i çdo lloj paqëndrueshmërie atje. Nuk do të kishte luftë atje, nëse ai nuk do të ofronte ndihmën e tij apo nuk do të jepte urdhra. Ai ishte një terrorist, drejtonte të gjitha sulmet.

Kemi pasur shumë sulme prej tij, ndaj kundërveproi Trump. Edhe ne do të kishim bërë të njëjtën gjë, po ta kishim mundësinë. Suleiman ishte një kriminel ndërkombëtar, ka shkaktuar vdekjen e shumë personave të pafajshëm për 15 vitet e fundit. Për këtë arsye, ishin veprimet e duhura dhe ne do t’i përballojmë vetë pasojat. Ai është kryesori i luftës që po ndodh. Ai ka çuar rreth 18 raketa në bazat tona në Irak, por fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Në Iran do të ketë disa shënjestra të tjera amerikane, apo në vendet tona aleate. Amerika duhet të vazhdojë këtë politikë dhe të rrisë presionin në këtë rajon. Ka ardhur momenti që partnerët aleatë duhet të qëndrojnë të fortë dhe të mos kërkojnë falje për vrasjen e Suleimanit, ky është momenti që ato të thonë nëse janë pro apo kundër terrorizmit.

Irani duhet të dijë që ne jemi të gjithë seriozë për këtë çështje. Ky është momenti që të këmbëngulim që të kemi një marrëveshje për Iranin, që kërcënon se do të fshijë Izraelin dhe do sulmojë SHBA.

Nuk ekziston fare që SHBA do të pushtojë Iranin. Janë thjesht provokime. Eliminimi i Suleimanit ishte një frenim, ndalim, për sulmet. Ne do të veprojmë dhe do ndërmarrim çdo veprim të nevojshëm për të mbrojtur njerëzit tanë dhe për të frenuar agresionin që vjen nga Irani. Marrëveshja me Iranin nuk ishte e mirë, ne duhet të ulemi përsëri dhe të negociojmë diçka tjetër, më afatgjate”, tha gjenerali amerikan.

Më tej, ai iu bëri thirrje shqiptarëve të bëjnë kujdes nga investimet kineze, duke i cilësuar ato si problemin kryesor në plan afatgjatë.

“Investimet e Kinës mund të duken mjaft të favorshme tani, por nëse i shohim në një prizëm afatgjatë janë dëmtuese për vendin. Momentalisht kemi problem terrorizmin, por në plane afatgjate janë investimet kineze, një problem kryesor. Vendi juaj ka avantazhe të jashtëzakonshme, në forcat e punës. Të gjithë jemi të interesuar ta çojmë këtë vend përpara. Nëse sjellim bizneset amerikane këtu, forcojmë demokracinë e Shqipërisë.

Ju kërkoj të mendoni për çështje mjaft të rëndësishme. A i ka marrë Shqipëria të gjitha hapat e duhur për të tërhequr investimet perëndimore, a i ka marrë të gjitha hapat për të luftuar krimin, a ofroni ju garanci ligjore për investitorët e huaj? Duhet t’i mendoni të gjitha këto çështje, çfarë mund të përmirësoni. E di që po kaloni një periudhë mjaft sfiduese të reformës në sistemin gjyqësor, por ju i keni të gjitha kapacitetet për të ecur përpara”, shtoi gjenerali.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb