Emisioni në “Shënjestër”, drejtuar nga gazetarja Klodiana Lala, ka publikuar pamjet ekskluzive të vrasjes së efektivit Xhuliano Prela, ngjarje kjo, që ka ndodhur në dhjetor të 2020.

Të ftuar në studio, për të folur për këtë ngjarje, ishte ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdermataj dhe gazetari Xhevahir Zhabina. Për Hajdermataj, ka shumë skenarë që duhet të hetohen, e madje, ai nuk përjashtoi se hetimet mund të jenë devijuar nga elementë të botës së krimit.

“Për një gjë nuk kemi dyshime. Fakti që në një orë janë këto vetëm 2 mjete në rrugë, të bën të mendosh që autorët e krimit janë ato të tipit fuoristradë. Unë mendoj që autorët janë në atë fuoristradë, por shtrohet çështja që ngjarja ka ndodhur për ndezjen e dritave të gjata dhe pista e dytë është që realisht kanë një konflikt të mëhershëm. Ne e dimë që Lezha është problematike.

Ish-efektivi ka marrë pjesë në një hetim që ka goditur botën e krimit. Nga rruga operative mund të kemi pista, por në fund gjykata duhet të marrë prova. Pa lënë mënjanë hijet e dyshimit se mund të kemi devijim nga ngjarja. Jemi mësuar fatkeqësisht që shumë raste kanë devijim nga ngjarja për shkak të ndikimit që kanë elementët e krimit”, tha Hajdarmataj.

Gazetari Xhevahir Zhabina tha se arsyet e vrasjes ende nuk dihen, ndërsa shtoi se kalimi i kaq shumë kohe të ngjarjes, do të sjellë vështirësi për hetimin.

“Mund të ketë dy versione se pse Xhuliano Prela ka kthyer makinën në atë moment. Ndoshta bërja me drita ka një histori që dikush ka vështirësi dhe ai ka dashur ta ndihmojë, është një opsion. Nuk përjashtohet mundësia që të jenë njohur me njëri-tjetrin. Motivi është pak i vështirë në këtë fazë për t’u zbardhur. Duhet një punë më e madhe nga prokuroria. Mendoj që kalimi i kaq shumë kohe do të sjelli shumë vështirësi. Mendoj se kudo të kishin ndodhur ngjarje të tilla do të kishim largim të drejtuesit lokal. Për më tepër duke folur për Lezhën që është një nga qarqet më të vështira. Kemi ngjarje të rënda që kanë ndodhur atje, ende të pa zbardhura.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb