Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar sot në “Open” ka deklaruar se duhet të ngrihet pyetja se përse strukturat e policisë fshehën të vërtetën për ngjarjen e ndodhur në 21 prill në Elbasan, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

Ervin Karamuço, eksperti i kriminalistës, thotë se dy zv.drejtorët e policisë të arrestuar tashmë për ngjarjen, kanë shkuar në vendngjarje për të qetësuar gjakrat, por situata ka precipituar.

Ndërkohë gazetarja Lala thotë se duhet mbajtur të paktën përgjegjësi morale për deklarata kontradiktore të bëra në publik pas ngjarjes nga policia, ku u mohua se në makinë u gjetën materiale zgjedhore.

Klodiana Lala: Në 26 prill 2021, Gjykata nxori për masë sigurie të gjithë persona e përfshirë, Arbër Paplekaj dhe anëtarët e tjerë të strukturës së ngritur nga PD.

Gjithë pyetja që duhet të shtrojmë sot, është pse zyrtarët gënjyen katër ditë para zgjedhjeve?

Prokurori Shehu, të cilin e kam filmuar me celularin tim sepse nuk u lejua në kamera, tha gjë tjetër në sallën e gjyqit, renditi materialet e gjetura në vendngjarje ndërkohë që më parë kishte thënë që nuk u gjetën materiale zgjedhore në makinë.

Përse e bëri këtë gjë? Ka një shpjegim logjik, s’kam fakte, por ka shpjegim logjik, mënyra si u manipulua përcaktoi atë që do ndodhte më pas me Elbasanin. Sot dy zyrtarët që gënjyen publikisht i ke të shpërblyer, njëri është në SPAK, njëri…

Ervin Karamuço: Ajo deklarimi që bënë, në pikëpamje institucionale është shumë e rëndë por…

Lala: Këtu minohet institucioni, tentativa për të manipuluar ngjarjen.

Karamuço: Ata kanë vajtur për të ulur gjakrat, për të ndërmjetësuar…

Lala: Por policia nuk bën këshillim në këto situata, Policia këshillon kur ndalon një qytetar pa rrip sigurimi…

Karamuço: Fakti që kanë vajtur dy drejtorët do të thotë që kanë pasur informacion se për kë bëhej fjalë. Por sidomos në Elbasan grupimet diheshin dhe shkuarja e tyre ka qenë garanci. Këta nuk morën veprimet që duhej të merrnin në kohë. Më pas elementë të tjerë dokumentarë janë këqyrja e vendit të ngjarjes, procesverbale etj, dhe gjëja e parë që bëhet, i merr prokurori, i shikon i vlerëson dhe delegon gjërat e tjera. Të dy këta janë njohur me aktet, sepse unë dal në bazë të disa akteve që i kam në posedim, në momentin që të dy këta plotësojnë njëri-tjetrin dhe kanë thënë që nuk është gjetur asgjë, atëherë duhet të hyjmë dhe të gjejmë se përse e kanë bërë, kanë pas apo jo ndikim politik?!  Ti duhet të thuash të vërtetën aty të dokumenteve që fle në arkivën e shtetit pas 100 vitesh.

Lala: Këtu duhet të ketë përgjegjësi morale. Do duhet të hetohen nëse ka përgjegjësi penale, duhet ta hetojë Prokuroria. SPAK për çfarë është ngritur? Për çështje të tilla. Edhe nëse nuk shkohet në përgjegjësi penale, ata kanë përgjegjësi morale.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: