Një ngjarje e rëndë është shënuar pak më parë në qytetin e Elbsanit, ku i vrarë ka mbetur mjeku i njohur i qytetit Pjerin Xhuvani.

Krahas tij, kanë mbetur edhe dy persona të plagosur, një prej të cilëve një punonjëse e forcave “Shqiponja”. Nga informacionet e deritanishme, thuhet se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkaq, ngjarja e rëndë u komentua edhe në studion e emisionit “Pikat mbi i”, në “News 24”, nga dy analistët, Fatos Lubonja dhe Artur Zheji. Ky i fundit është i mendimit se situata ka dalë jashtë kontrollit dhe menjëherë sipas tij, ministri i Brendshëm Çuçi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, duhet të dalin në një konferencë.

“Është një pikturë e trishtuar, situata ka dalë nga kontrolli. Çuçi dhe Veliu të dalin në konferencë për shtyp menjëherë, sepse janë shmangur dy herë, si në rastin e Kavajës edhe ajo në xhami. Tani vritet një në mes të Elbasanit, këtu ka dalë situata nga kontrolli. Aty janë disa nga kataleritë më të mëdha të kokainës dhe heroinës ka trafiqe, lojëra, interesa të forta që ne nuk e dimë si, qysh, tek.

Në këtë proces elektoral nga këto vrasje kuptojmë që bandat, janë aktive dhe në interesat e tyre përplasen. Kush do të vriste kë, asnjëherë nuk dihet e vërteta.

Ne dimë të themi këtë gjë, ministri i Brendshëm dhe drejtori duhet të flasin. Nuk është vetëm presidenti që të shkojë dhe të merret me këtë punë. Situata ka dalë jashtë kontrollit dhe ndoshta kjo klimë, i intereson kryeministrit për të trembur shqiptarët, apo tregon që janë momentet më të fundit të një qeverie, që po rrëshqet në anarki”, u shpreh Zheji.

Ndërsa analisti Lubonja, tha se ngjarje të tilla, tregojnë se ndryshe nga vitet e kaluara, ku krimi ka pasur pak ndikim në politikë, tani akoma më shumë.

“Jam dakord me atë që thotë Zheji, të dali Çuçi të flasë. Ne nuk kemi besim, do të flasin e do të thonë të vërtetën apo do merret politikisht. Ne kemi parë një polici të politizuar dhe një drejtësi tjetër, që është Prokuroria që nuk vepron.

Në këtë rast fitojnë bandat më të forta, krimi është i politizuar, krimin e kishim lënë jashtë, por ka qenë më jashtë jetës politike, me vite ka ardhur të shtohet krimi në jetën politike. Në këto tetë vite, për shkak edhe të dështimit të ekonomisë, krimi ka marrë pjesë. Jo më kot kanë dalë në Parlament njerëz të krimit. Këtu kemi mbrojtjen e interesave”, tha Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb