Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur një natë më parë në Komisariatin nr3 në Tiranë, ku një efektiv policie ka vrarë me armë kolegun e tij, ka reaguar deputeti i PD Dashnor Sula.

Ai shprehet se kjo është një situatë ë të cilën duhet të reagohet menjëherë, përpara se të jetë vonë dhe të rrezikohet jeta e qytetarëve.

“Disa javë më parë kërkova transparencë për një ngjarje të rëndë që ndodhi brenda komisariatit të Policise në Kavajë. Dyshimet që ngrita u quajtën konspiracione. Po sonte çfarë do të thoni?!

Në vendin që supozohet të jetë më i sigurtë për jetën, njerëzit që supozohet të parandalojnë ngjarje kriminale, përdorin armën e shërbimit për tu përplasur me njëri-tjetrin me pasojë jetën. Në Komisariatin e Policisë nr 3 në Tiranë polici vret kolegun.

Unë i shpreh ngushëllimet e mia familjes për humbjen e jetës së efektivit brenda komisariatit dhe njëkohësisht kërkojë që të ngrihen të gjitha strukturat në këmbë. Ngjarje të tilla janë të tmerrshme që nuk duhet të ndodhin as në rrugët më të errëta të Shqipërisë e jo më në Polici!

Ndërkohë ngjarje të tilla konfirmojnë situatën alarmante të kriminalitetit në vend. Kur nuk ka siguri për jetën në Polici, imagjinoni në jetën e përditshme. Dëshmitë qe kanë dalë nga dosja “Plumbi i Artë” konfirmojnë atë që ne si opozitë denoncojmë: kriminaliteti po lulëzon.

Jeta e një qytetari konvertohet më vlerë monetare. Kjo është e patolerueshme dhe duhet të frenohet. Të frenohet sa nuk është vonë e qytetarët të ngrihen kundër kësaj gjendjeje pasigurie!”, shkruan ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: