Më shumë se 24 orë pas ngjarjes së rëndë në Krujë, ku mbeti i vrarë 45-vjeçari Fatmir Pula, policia ka vënë në pranga 5 autorët e dyshuar dhe ka shpallur në kërkim një tjetër. Ata kanë lidhje familjare me njëri-tjetrin, dy prej tyre janë vëllezër, 1 kushëri, ndërsa 2 të tjerë kunetërit e tyre. Për policinë, ngjarja ka pasur si motiv grabitjen e viktimës. Sipas burimeve zyrtare janë arrestuar:

• Admir Haka, 32 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje;
• Herton Haka, 18 vjeç, lindur në Zezë, Krujë;
• Aleksandër Haka, 28 vjeç, banues në fshatin Zezë, Krujë;
• Hekuran Boci, 23 vjeç, banues në fshatin Halil, Krujë;
• Olti Metuku (Agron), banues në Kamzë, Tiranë.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit:
• Elton Ceka, banues në Tiranë.

Ngjarja merr përmasa edhe më dramatike, pasi dy vëllezërit Admir dhe Erson Haka janë fqinj të viktimës Pula. Sipas policisë, këta 5 persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin vendosur grabitjen e 45-vjeçarit Pula. Në kohën kur ka ndodhur ngjarja ai po kthehej nga lokali i tij që e kishte me qira në Kamzë, për në banesë, në fshatin Zezë, Krujë.

MEKANIZMI I NGJARJES
Olti Metuku e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën në momentin që ai ka dalë nga lokali dhe ka lajmëruar autorët e tjerë. Herton Haka, vëllai i Admir Hakës, ka qenë i fshehur në kthesën që të çonte në banesën e viktimës, nga fshati Nikel për në Zezë dhe ka njoftuar dy autorët e tjerë që makina në të cilën ndodhej viktima po vinte në drejtim të tyre.

Elton Ceka dhe Admir Haka, të dy të armatosur, njëri me armë zjarri automatik dhe tjetri me pushkë, i kanë bllokuar rrugën viktimës me thasë me shkarpa dhe Ceka ka qëlluar me 4 plumba me armë zjarri automatik në drejtim të shtetasit Fatmir Pula, i cili ka gjetur edhe vdekjen e menjëhershme.

Aleksandër Hakaj i ka furnizuar me fishekë autorët, i ka strehuar natën e krimit dhe njëkohësisht ka mbajtur edhe armët e krimit, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

• një armë zjarri automatik model 56 kalibër 7.62;
• një pushkë model 63;
• 4 copë fishkë luftarakë.

Admir dhe Herton Haka janë vëllezër dhe njëkohësisht komshinj me viktimën. Shtetasi Aleksandër Haka është djali i xhaxhait të shtetasve të mësipërm. Hekuran Boci dhe Olti Metuku janë kunetërit (burrat e motrave) të shtetasve Admir dhe Herton Hakës.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen kryer në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve Admir Haka, Herton Haka, Hekuran Boci, Elton Ceka dhe Olti Metuku; “Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në ngarkim të shtetasit Aleksandër Haka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb