TIRANE- Gjykata e Tiranës ka caktuar sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për Emiljano Tashon, i arrestuar si një nga të akuzuarit për vrasjen në Linzë, ku mbeti i vrarë Enton Nikaj.

Seancën e sotme, pasi ka dëgjuar palën akuzuese, gjykata caktoi këtë masë sigurie në ngarkim të Tashos.

Tasho u arrestua pak pas krimit në restorantin në Linzë, ku mbeti i vrarë Nikaj dhe u plagos pronari i restorantit, Gaxheri. 28-vjeçari Tasho u filmua nga kamerat e sigurisë duke i vënë pistoletën në kokë pronarit të restorantit.

Sakaq, avokati e tij, Alfred Duka pohoi në sallën e gjyqit se armën pa leje e ka pasur klienti i tij dhe se gjatë sherrit është bërë shkrepje e pavullnetshme. Ndërkohë, nga akti i ekspertizës, rezulton se me këtë armë është qëlluar viktima, Enton Nikaj.

Ndërkaq, ditën e djeshme policia e Tiranës zbardhi një tjetër ngjarje ku i implikuar ishte Tasho. Ai akuzohet të jetë autor i dyshuar i një plagosje të ndodhur në muajin korrik. Shkak i sherrit ka qenë se viktima, i kishte gërvishtur motorin Tashos.

ARRESTIMI I EMILJANO TASHOS
Më datën 14 tetor rreth orës 14:30, në zonën afër urës së Shkozës u vu në pranga Emiljano Tasho, i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit Enton Nikaj. Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Forcat RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë, me ndihmën e informacioneve të marra në rrugë operative mundën të lokalizojnë të dyshuarin dhe më pas ta vendosin në pranga.

ARRESTIMI I ISH-EFEKTIVIT TË POLICISË
Po ashtu, në lidhje me këtë vrasje u arrestua më 13 tetor Mirsad Kuçanaj, ish-efektiv i policisë. 28-vjeçari u arrestua në banesën e një të afërmi të tij në rrugën “Ibrahim Rugova”. I arrestuari Mirsad Kuçanaj është një ish-efektiv policie, i cili prej vitit 2009 ka mbajtur pozicionin e policit të patrullës së përgjithshme në Komisariatin nr. 2 në kryeqytet, më pas është transferuar në Policinë e Durrësit. Prej tri vitesh ai kishte dhënë dorëheqjen nga policia dhe punonte si badigard. Pas rënies në prangat e policisë, Mirsad Kuçanaj nuk pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe policisë për marrjen e statusit të bashkëpunëtorit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: