MALLAKASTER- Dy personat që mbeten të plagosur ditën e djeshme në fshatin Ninesh të Mallakastrës pranë një fushë me hashash, janë arrestuar mëngjesin e sotëm. Riza Feizaj, 22 vjeç, dhe Mariglen Luari, 24 vjeç, akuzohen për “kultivim narkotikësh”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00 të ditës së djeshme, në pyllin pranë rezervuarit të Gadurovës në fshatin Ninesh, ku si pasojë e të shtënave me armë, mbetën të plagosur dy të rinjtë, ndërsa një tjetër humbi jetën.

Sipas policisë lokale, tre personat në fjalë ishin në pyll kur janë sulmuar me armë zjarri. Krismat e armëve kanë alarmuar banorët, të cilët kanë shpejtuar që t’u vijnë në ndihmë të rinjve.
Pas sinjalizimit për vrasjen e 23- vjeçarit Alfons Dautaj, policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, ndërsa dyshohet se autori është banor i zonës.

Nga veprimet hetimore paraprake, ka rezultuar se në afërsi të vendit ku ndodhi vrasja ndodhej një parcelë rreth 170 m katrorë, ku ishin kultivuar rreth 900 rrënjë hashash. Sipas policisë, ishte kultivuar nga viktima Dautaj, Luari dhe Feizaj. Po të njëjtat burime pohuan se tre të rinjtë ruanin parcelën me hashash dhe se dyshohet që konflikti që solli sulmin me armë zjarri ndaj tyre ka marrë shkas pikërisht nga droga. Në lidhje me këtë ngjarje, janë shoqëruar 20 persona dhe po punohet për identifikimin e vënien në pranga të autorëve të krimit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb