Drejtorja ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media, dhe Kulturë, Jonila Godole, e ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për vrasjen nga policia të Klodian Rashës, tha se ngjarja nxjerr në pah sistemin tonë politik difektoz.

“Është një akt i paprecedent, që ndodhi edhe në Diitën e Rinisë. Kjo vrasje nxjerr në pah sistemin difektoz,  faktin se shteti ynë nuk bazohet tek jeta e qytetarëve, por është përqendruar më shumë tek terrori. Ndodh edhe në kohën e pandemisë, që po zgjat, që ka masa absurde, teksa ndalohen lëvizjet natën, a thua se ditën nuk ka virus e natën na paska. Absurditet. Nuk është një gabim. Nuk e fal.

Ngjarja tregon mungesë profesionalizmi. Është polici, që nuk meriton respektin tonë. Djali ishte i paarmatosur, ndoshta është trembur se në Shqipëri çfarë s’ka ndodhur, ka pasur njerëz të krimit të veshur si policë etj. Jemi futur në situatë të rrezikshme. Situata do të bëhet më keq, shoh degradim që them do vazhdoj të thellohet”, tha Godole.

Jonila Godole theksoi se degradimi i pushtetit në Shqipëri ka arritur kulmin. Ajo shtoi se vrasja nuk ka asnjë justifikim.

“Degradimi ka arritur kulmin e vet. Klasa politike nuk është me qytetarët, por duket sikur jetojmë në një monoklaturë të re. Mua nuk më intereson falja e policisë, se policia nuk është kalama. Policia nuk mund të justifikohet.  Në policii duhet të merren njerëz profesionistë. Kam frikë se nuk do vendoset drejtësia për djalin e ri që humbi jetën”, deklaroi Godole.

Më tej, Godole nënvizoi se në Shqipëri është ndërtuar një kulturë e pandëshkueshmërisë ndaj pushtetit, por kjo gjë duhet të marrë fund.

“Me çfarë ndodh në Shqipëri, këtu duhet të kishte protesta përditë. Ne kemi instaluar kulturën e pandëshkueshmërisë, që më 1990, që kishim në dorë të dënonim ata që ishin në krye të diktaturës. Atëherë nuk ndëshkuam përgjegjësit, as në 30 vjet nuk kemi dënuar njeri.

Protestat nuk mjaftojnë. Ne si shoqëri reagojmë vetëm kur ka ngjarje, por demonstratat duhet që të jenë përherë. Kemi bllokun e atëhershëm të zhvendosur tani. Shoqëria jonë është e mpirë dhe trushpërlarë. Sot ishte viktimë Klodiani, duhet të kemi kujdes, se nesër mund të jemi ne. Ne kemi shtet jo të drejtë, protestat duhen bërë kundër sistemit. Shqipëria nuk është shtet demokratik siç pritej”, u shpreh Godole.

Gjithashtu, Godole tha se duhet protestuar përditë madje, duke shtuar se në Shqipëri duhet ndërtuar shtet i së drejtës, që duket se është shumë larg.

“Shoqëria Civile këtë rol ka, që të thotë se në sistem demokratik  nuk mund të ndodhë e tillë ngjarje kriminale. Qytetarët duhet të vënë fokusin tek institucionet e shtetit të së drejtës, e pas asaj, ndëshkimin e atyre që janë fajtorë. Fillimisht duhet të dënohen krimet moderne ta themi, korrupsioni, e pastaj edhe krimet para viteve 1990. Masat e atyre që kryejnë krime të tilla, duke përfshirë edhe ata që janë në Policinë e Shtetit, duhet të marrin dënimin e merituar”, përmbylli Godole.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb