NGA KLODIANA HAXHIAJ*

KAVAJË- Në grahmat e fundit të jetës, Isuf Xhani, i riu që u ekzekutua për prerjen e një plepi në fshatin Luz të Madh në Kavajë, “shpëtoi” kushëririn e tij nga vdekja. Në momentin kur i dyshuari Xhavit Saraçi qëlloi në drejtim të dy kushërinjve Xhani, ishte Isufi ai që mbrojti kushëririn e tij Marjo nga plumbat dhe mbeti vetë i vrarë. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Xhevat Saraçi kishte pasur një debat verbal me dy kushërinjtë për prerjen e plepit që ndodhej në pronën e tij. Ai nuk ka hezituar të shkojë në shtëpinë e tij të “rrëmbejë” armën dhe të qëllojë direkt për të ekzekutuar dy kushërinjtë, duke lënë të vrarë Isuf Xhanin.

Ndaj Saraçit, prokuroria ka ngritur akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese” kundër dy ose më shumë personave dhe “armëmbajtjes pa leje” dhe dje gjykata e Kavajës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. I dyshuari i tha gjykatës se krimin e kreu në gjaknxehtësi e sipër, por duket se alibia e tij nuk qëndron, pasi në dosjen e prokurorisë thuhet se krimi nuk ndodhi në sherr e sipër, por Xhavit Saraçi shkoi në shtëpi nxori armën dhe u kthye për të vrarë kushërinjtë. Më poshtë dosja e plotë e prokurorisë ku sqarohet mekanizmi i krimit të rëndë që tronditi Kavajën e mbarë opinionin publik.

NGJARJA SIPAS PROKURORISË
Në dosjen e prokurorisë thuhet se: Në datë 04.01.2016, Komisariati i Policisë Kavajë është vënë në dijeni në lidhje me një ngjarje kriminale të ndodhur në fshatin Luz i Madh Kavajë. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se është vrarë me armë zjarri Isuf Xhani si edhe është tentuar të vritet shtetasi Marjo Xhani. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta, ku viktima Isuf Xhani dhe kushëriri i tij, Mario Xhani kishin prerë një dru plepi që ndodhej në tokën e autorit Xhavit Saraçi.

Fillimisht kanë bërë fjalë me njëri-tjetrin dhe më pas autori ka shkuar në banesën e tij, ka marrë armën që mbante pa leje dhe në momentet që të dy shtetasit e mësipërm janë afruar pranë banesës, autori u ka dalë përpara dhe në distancë ka qëlluar në drejtim të tyre nga ku ka mbetur i vrarë Isuf Xhani. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në banesë Xhavit Saraçit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shtatë gëzhoja armë zjarri model 56 të kalibrit 7.62 mm, ndërsa në banesën e të arrestuarit u gjet arma e krimit, një pushkë gjysmë automatike model 56 me numër YIO 190K, me tre fishekë në gushë.

Gjatë kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe pyetjes së dëshmitarëve, ka rezultuar se shtetasi Xhevat Sarcaçi ditën e ngjarjes ka debatuar me shtetasit Isuf dhe Mario Xhani në lidhje me prerjen e një peme plepi nga dy kushërinjtë. Më pas ka shkuar në banesë, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të shtetasve Isuf dhe Mario Xhani, ku si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Isuf, ndërsa shtetasi Mario ka shpëtuar për shkak se i është hedhur në mbrojtje Isufi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: