Dy kandidatët e PD, Jorida Tabaku dhe Alfred Rrushaj, komentuan në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, ngjarjen tragjike të ditës së djeshme në Elbasan, ku u vra Pjerin Xhuvani.

Të dy kandidatët e PD thanë se partia e tyre distancohet nga ky akt i rëndë, ku pati edhe viktimë, duke shtuar se ata distancohen edhe nga ngjarje me intimidime.

Pjesë nga diskutimet:
Tabaku: PD gjendet e përfshirë në këtë ngjarje, sepse PD po denoncon ngjarje kriminale. Pak më parë, PD denoncoi për kapjen e një makine me lekë në Dibër. Si ka mundësi që një zyrtar lëviz me 70 milionë lekë? Janë po të njëjtët që i njeh bota për dosjen e Xibrakës, më 14 mars u përplasën. Këto para që po kapen tani, janë para korrupsioni, janë paratë e taksave të shqiptarëve. Ju e patë që qeveria nuk reagoi për 12 orë për ngjarjen në Elbasan.

Rrushaj: U vra një dhe u plagosën disa, se thuhet që janë më shumë se katër. Që ngjarja është e rëndë, nuk ka diskutim. Na vjen jashtëzakonisht shumë keq për viktimën. Për mua është e papranueshme, ka ndodhur diçka, drejtori i Policisë së Shtetit tha se kur erdhi policia situata u agravua. Gazment Bardhi ka denoncuar emër për emër, publikisht në organet ligjzbatuese, ata që u përfshin në incidentin e 14 marsit, edhe ata që ishin dje, dhe nuk ndodhi asgjë. Kur ata persona ishin përballë qytetarëve vetëm, nuk reaguan, por kur erdhi policia, reaguan dhe situata u agravua. Pra, ata e panë veten të mbrojtur, kur erdhi policia. Ata po blinin vota dhe në momentin që nuk ndodhte asgjë, ishin të trimëruar. Pra, këta njerëz që po blinin vota në mes të qytetit, u ndjenë më shumë, kur erdhi policia. Deklarata e sotme e kryepolicit ishte një turp i madh. Ne distancohemi totalisht nga cdo lloj akti, jo me këto pasoja, por edhe në intimidime. Ne nuk mund të krahasohemi me ata, sepse ishin pjesë e krimit të organizuar, të denoncuar jo pardje, por ka një muaj e ca, pikërisht për atë veprim që po bënin.

Tabaku: Nëse këto grupe janë në terren, se tani sapo më nisën një foto nga dega 2 e Tiranës, duke shpërndarë ushqime, kjo është fatkeqësia më e madhe që ka sot Shqipëria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb