Qytetarët në të gjithë Spanjën janë duke bërë thirrje për të bërë më shumë në adresimin e racizmit në vend pas vrasjes brutale të një emigranti maroken në rajonin jugor Murcia.

Younes Bilal, 37 vjeç, të dielën u qëllua nga një ish-oficer ushtarak derisa po kalonte kohë me miqtë në një kafene në qytetin Mazarron, sipas raporteve të mediave lokale.

Dëshmitarët theksuan se vrasësi i dyshuar fillimisht polemizoi me kamerieren në kafene se po kalon shumë kohë duke folur me Bilalin, duke përdorur zë të lartë me një gjuhë abuzive ndaj të gjithë myslimanëve.

Bilali u ngrit nga vendi i tij për t’u përballur me burrin, duke i kërkuar që të respektonte kamerieren dhe myslimanët.

Pas kësaj, ish-oficeri ushtarak dyshohet se shkoi në shtëpi, ndërroi rrobat, mori një armë dhe u kthye në kafene.

“Pa thënë asgjë, ai qëndroi përpara Bilalit, drejtoi armën drejt tij pasi qëlloi në ajër dhe tha: ‘Të shohim nëse ke guximin të ngrihesh tani”, theksuan anëtarët e familjes për të përditshmen spanjolle ‘El Pais’. “Younes u ngrit dhe burri e qëlloi atë tri herë në gjoks”.

Bashkëshortja dhe fëmija i tij ishin afër. Ata u thirrën dhe panë trupin e tij të shtrirë të vdekur në tokë.

Vrasësi i dyshuar u largua nga vendi i ngjarjes, por më vonë u arrestua dhe mbetet në paraburgim.

Të nesërmen, gruaja e tij Andrea drejtoi një protestë duke bërë thirrje për drejtësi dhe duke dënuar sulmin racist. Qindra fqinjë dolën për të treguar mbështetjen e tyre dhe më shumë protesta po planifikohen në të gjithë Spanjën këtë javë.

Po ashtu ka pasur shumë mbështetje në mediat sociale nën hashtagët #TodosSomosYounes, #MoroccanLivesMatter dhe #JusticeForYounes.

Shumica sugjerojnë se ky është vetëm një manifestim i ndjenjave anti-myslimane në rritje në vend, e cila ka qenë veçanërisht në rritje në rajonin e Murcia-s.

Në shkurt, vandalët u përpoqën t’i vinin flakën një xhamie në qytetin murcian të San Javier dhe me bojë shkruan “Vdekje Islamit”.

“Situata këtu është përkeqësuar për një kohë të gjatë teksa shumë punëtorë migrantë erdhën në rajon për të punuar në ferma, duke jetuar në kushte shumë të pasigurta”, tha Juan Guirado, zëdhënësi i grupit lokal anti-racizmit Convivir Sin Racism, për të përditshmen spanjolle El Diario.

“Kjo vrasje është maja e ajsbergut të racizmit strukturor. Çdo veprim racist që kalon pa pasoja, çdo përpjekje për të shmangur njohjen e problemit krijon kushtet për një skenë të re fatale”, shkroi në Twitter Antumi Toasije, presidenti i Këshillit për Eliminimin të diskriminimit racor ose etnik.

Ndërkohë, komuniteti mysliman lokal Mazarron do të mblidhet për lutje speciale të premten në mbrëmje para se trupi i tij të riatdhesohet në vendlindjen e tij në Beni Mellal.

“Të gjithë jemi me zemër të thyer, por duhet të qëndrojmë të qetë. Ne kemi jetuar së bashku për shumë vite dhe jemi gjithashtu spanjollë”, tha Noureddine Ebakkal, presidenti i komunitetit lokal mysliman për El Diario.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb