TIRANË

“Mehmet Qemën e kisha si vëlla…Ndodhi aksidentalisht…më mirë të kisha vrarë veten, sesa vëllanë tim”. Me kokën ulur dhe mes lotësh Marius Dema shprehu pendëse të thellë për krimin që ndodhi mesnatën e 10 majit në lagjen 5 maji në Tiranë, ku një lojë mes miqsh përfundoi në tragjedi.

Për momentin mbi supet e Marius Demës rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje dhe me kërkesën e prokurorisë, gjykata caktoi ndaj tij masën e arrestit me burg.

Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokurori Dritan Nushi, bëri një rindërtim të skenës së krimit, ku krahas dëshmive ai përshkroi edhe pamjet e kamerave të sigurisë. Në to, shfaqen të rinjtë teksa po konsumonin ushqim dhe pije, para se të ndodhte vrasja e të riut të sapo kthyer nga Londra.

Në pamje Marius Dema shfaqet teksa drejton armën nga shoku i tij. pasi arma shkrep, dallohet Mehmet Qema qe rrëzohet nga karrigia. Në këtë moment, shoku i tij, nxiton për ta mbajtur dhe e ul sërish në karrige. Pas vrasjes të rinjtë thonë se u tronditën rëndë dhe se me veprimet e tyre nuk kishin qëllim ti fshiheshin drejtësisë.

Prokuroria iu referua edhe dëshmisë së pronarit të një servisi pranë vendit të ngjarjes, ku u gjet dhe arma e krimit.

“Më mori në telefon një person dhe me tha “plasi arma te shtepia e bardhë. Kur dola pashë disa djem të largoheshin në drejtime të ndryshme. Pashë Mariusin, i cili ishte i shtrirë dhe po qante, po bërtiste e po fliste përcart, ‘o cfarë bëra….’, shpjegon dëshmitari.

Xhuljano Koci dhe Frenkli Myftari dy miqtë e përbashkët te autorit të dyshuar dhe viktimës, Xhuljano Koci dhe Frenkli Myftari, të dyshuar për moskallëzim krimi e veprime që pengojnë zbardhjen e së vertetës u caktua masa e arrestit në shtëpi.

Sipas hetimeve paraprake ka dyshime se njëri prej tyre ka fshaur pistoletën, e cila u gjet në tunelin e një servisi, ndërsa tjetri gëzhojën. Për dy djemtë e tjerë që u gjenden në tavolinën e ngjarjes, Erlind Pekën e Blerim Hotin. Masa e detyrimit për paraqitje u caktua dhe ndaj pronarit të lokalit Eder Pjetra e kamarierit Marjus Halili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb