TIRANË

Një pjesë të madhe të bisedës në studion e “Real Story” në News24 mes gazetarit Sokol Balla dhe ministrit të Brendshëm të dorëhequr tashmë Sandër Lleshaj e ka zënë vrasja e të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Lleshaj ka folur për shumë çka, teksa ka komentuar dhe vendimin e qeverisë për pensionin që do i lidhet të atit të 25-vjeçarit, teksa vrasja e të birit përshkruhet si aksidentale.

Ai tha se nuk mund të kishte definicion tjetër për të justifikuar atë vendim pasi në çdo rast vrasja është e paligjshme. Sipas tij, është më hsumë një akt pozicionimi i qeverisë.

“Nuk mund të kishte një definicion tjetër për të justifikuar atë vendim, ose aksidentale ose çfarë? Nuk kishte tjetër. Mund të ketë vetëm një situatë hipotetike kur mund të atakohet ai vendim, kur vrasja është bërë në mënyrë të ligjshme. Edhe sikur të jetë vrasja e qëllimshme, vendimi është i drejtë sepse kompenson një familje të goditur pa ligj. Është më shumë një akt pozicionimi i qeverisë se sa një akt kompensimi materiale. Hipotetikisht qeveria mund të jetë gabim, në qoftë se vrasja rezulton që është kryer në kushte të ligjshme dhe ky që ka bërë vrasjen është e drejtë. Nga të gjitha informacionet tona, është e paligjshme. Vrasja ose është e ligjshme, ose është e paligjshme. Nëse vrasja është e apligjshme, qeveria ka bërë një veprim të ligjshëm. Nëse vrasja është e ligjshme, qeveria ka bërë një veprim të gabuar”, tha Lleshaj.

Sa i përket deklaratës së Qazim Rashës, babai të 25-vjeçarit, Lleshaj tha se është çështje që i takon botës së ndjenjave, të familjes. “Nuk mund ta komentoj. Familja është në një presion jashtëzakonisht të madh publik dhe politik. Familja pati një letër publike e dolën shumë njerëz duke folur. Ai ka gjithë të drejtën e botës për t’u ndjerë keq por vendimi i qeverisë nuk është bërë as për ta rivrarë, asgjë. Vendimi i qeverisë shkon në favor të tezës që është vrarë joligjërisht”, tha Lleshaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb