FIER

Shenja të dukshme plumbash e xhama të thyer në banesën tre katëshe të familjes Bengaj. Gjurmët e krimit monstruoz të 5 ditëve më parë janë ende të freskëta, ashtu si dhe kujtimi dhe tronditja e asaj nate të rëndë që i mori jetën Sabrinës 23-vjeçare, duke lënë një vajzë 3 vjeçe pa nënë dhe me një baba tashmë pas hekurave.

Gazetarja Dorjana Bezat ka sjellë detaje të tjera të rënda në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 për natën e së premtes kur ndodhi vrasja.

Siç tha ajo, autori Elton Metaj ka hyrë brenda shtëpisë tre katëshe, dera e së cilës është në rrugën kryesore që lidh Fierin me fshatin Zhupan.

“Përballë shtëpisë ndodhet një arë me misër dhe dyshohet se autori ka qëndruar i fshehur aty për disa orë dhe kur janë larguar xhaxhai, vëllai dhe të gjithë burrat ka hyrë nga dera kryesore, e cila ka qenë e hapur pasi kishte 30 minuta që ishte larguar i vëllai i Sabrinës.
Në korridor të banesës ka dalë kunata shtatzënë e ka kërcënuar dhe atë. Më pas ka dalë nëna e Sabrinës që i ka kërkuar të largohet. Ai ka vazhduar të kërkojë Sabrinën dhe kur 23-vjeçarja ka nisur të dalë e ka qëlluar menjëherë. Trupi i saj është rrokullisur nga shkallët. Shenjat e plumbave janë dhe në katin e e dytë dhe të tretë të banesës. Vajza e vogël po flinte në katin e dytë me gjyshen”, tha Bezat, raporton “BalkanWeb”.

Detajet e ngjarjes flasin për një krim me paramendim nga ana e 31-vjeçarit Elton Metaj, i cili ishte divorcuar prej një viti me Sabrina Bengaj, por nuk e pranonte këtë ndarje.

“E kishte mbështjellë armën me peshqir të madh për të amortizuar zhurmën. Ka dalë nga banesa ku kishte lënë mjetin e tij të ndezur. 10-15 metër më tej ka hedhur peshqirin dhe është larguar”, tregoi Bezat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb