D.K rreth 28 vjeç dyshohet se ka privuar nga jeta gjyshin e tij, K.I. 95 vjeç, të premten në fshatin Izvor të Komunës së Novobërdës. Viktima u ther 12 herë me thikë në pjesën e kraharorit dhe abdomenit derisa ishte në gjumë, ndërsa rasti në polici fillimisht u raportua si “vetëvrasje”. Por, kur prokurori doli në vendin e ngjarjes, vdekja e të moshuarit u cilësua si “vrasje e rëndë”, Gazeta Express sjell detaje të krimit në Novobërdë.

Gjykata Themelore e Gjilanit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji, për nipin që dyshohet se vrau me thikë gjyshin e tij.

Lidhur me rastin Gazeta Express ka kontaktuar me prokurorin kujdestar, Agron Uka, i cili ka dhënë detaje për krimin brenda familjes.

“Vrasja ka ndodhur brenda shtëpisë, viktima është i moshës 95-vjeç, ndërsa i dyshuari është rreth 28 vjeç, do të thotë nipi i tij”, tha Uka të dielën.

Më tej, Prokurori deklaroi se viktima ishte në gjumë kur mori 12 goditje me thikë. “Viktima ka 12 goditje me thikë, ka qenë fjetur kur u vra. Janë marrë provat, gjurmët e gjakut, është marrë thika si dhe është lëshuar urdhri për autopsi”, tha më tej Uka.

I pyetur se në cilat pjesë të trupit ka pësuar lëndime viktima, ai tha, “lëndime ka pasur në pjesën e përparme, në kraharor ka pasur gjashtë plagë në anën e majtë, në pjesën e abdomenit i ka edhe gjashtë të tjerë. Thika ka qenë në abdomen, e ngulur rreth 15 centimetra”.

Kemi të bëjmë me “vrasje të rëndë”, shtoi prokurori. Po ashtu është bërë intervistimi i të dyshuarit dhe dy dëshmitarëve të tjerë. “Kërkesa është bërë për paraburgim, gjykata e ka aprovuar kërkesën për vrasje të rëndë të anëtarit të familjes”, tha më tej prokurori kujdestar Agron Uka.

Po ashtu, ai tha se i dyshuari është në gjendje të mirë shëndetësore, teksa ka theksuar se “nuk e ka kryer vrasjen e gjyshit”.

Të njëjtit akoma nuk dihet nëse kanë pasur probleme mes vetea, teksa motivi i vrasjes mbetet i paqartë. Prokuroria po vazhdon ta hetojë këtë rast.

Çfarë tha policia sot në raportin 24-orësh për vrasjen në Novobërdë?

“Novobërdë 15-16.01.2021 – 20:30. Fillimisht ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se gjyshi i tij ka bërë vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes ka dalur edhe prokurori i shtetit, i cili bënë ri cilësimin e veprës nga vdekje e dyshimtë në vrasje të rëndë. Me vendim të prokurorit është bërë arrestimi i ankuesit tani i dyshuar mashkull kosovar dhe është dërguar në mbajtje”, u njoftua me anë të raportit të policisë.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: