TIRANË

Analisti Artur Zheji deklaron se vrasja e katërfishtë në Velipojë ka qenë një krim i paralajmëruar. Teksa komenton situatën në vend, pas ngjarjeve kriminale të ditëve të fundit me disa viktima, ai tha në “Pikat mbi i” në News24 se padrejtësia buron gjithmonë në shkallë më të larta.

“Ka një problem që shpesh herë kur bëhet një raportim i detajuar, mbi episode gjakatare, shpeshherë, emocioni, pasioni, detaji të rrëmben dhe nuk e sheh sfondin e pikturës së madhe. Ka qenë një krim i paralajmëruar. Një shezlon prodhon para. Autoriteti i detit është një ent që bën aq shumë para se varet kujt ia jep. Padrejtësia buron gjithmonë në shkallë më të larta.
Kjo ngjarje ka tre pika të errëta, e para si mund të gjenden armët kaq lehtë në këtë vend. Ok, konfliktet gjaknxehta, njëra palë mund të ketë të drejtë. Por nga një padrejtësi shezlonësh të vritet, më duket e habitshme. Shpejtësia me të cilën nxirren armët është e habitshme.
E dyta, cili është mekanizmi mendor që i jep argument vrasësit që ta zgjidhin duke derdhur gjak.

E treta, pas fitores së mandatit të tretë, ndihet një lloj rrjedhje e lirë e mjaft episodeve. Duket sikur shteti ka bërë një hap mbrapa dhe t’i zgjidhin konfliktet e tyre vetë”, deklaroi Zheji.

Ndërkohë gazetarja Klodiana Lala mendon se shtytësi i ngjarjes është shteti vetë.
“Në rastin konkret kemi 4 viktima dhe 2 të plagosur, por është një tragjedi për spiralen e gjakmarrjes ku është futur. Shtytësi është shteti vetë. E dimë masakrën në bregdetet shqiptare. Fakti që dy familjet Ferracaku dhe Gocaj kanë qenë në konflikt të vazhdueshëm për shezlongët, mendoj se është vetë shteti, zyrtarë të korruptuar, solli në këtë situatë ku jemi, ku kanë shkuar qytetarët që problematikat mes tyre i zgjidhin përmes armëve. Në momentet që bizneset aplikojnë, nuk duhet të presin”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb