TIRANE – Babai i Adnan Lulit, njërit prej të rinjve që u vra nga Flamur Ymeri në shtëpinë e tij në Selitë, në dhjetor 2014, e konsideron absurd vendimin e Gjykatës që liroi dje nga qelia autorin e ngjarjes. Ai thotë se një telefonatë anonime i ka nxjerrë nga shtëpia dy djemtë natën e krimit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ish­deputeti i Shkodrës, Gëzim Luli, rendit të gjitha pikëpyetjet e tij rreth ngjarjes, i bindur plotësisht se nuk është grabitje. Ai shprehet se pas vendimit të djeshëm, do ta ndjekë në mënyrë ligjore ngjarjen, për të nxjerrë në dritë të vërtetën.
“Të them që është vendim i padrejtë, nuk është kjo fjala e duhur, është shumë pak. Është një vendim më shumë se absurd. Nuk e kuptoj dot sado të përpiqem. Se si janë institucionet e drejtësisë këtu te ne, këtë nuk e them unë, sepse e kanë thënë shumë e shumë para meje, dihet botërisht. Por që të arrish deri aty sa të lirosh një njeri që ka vrarë dy veta, kjo nuk ka ku të qëndrojë. Këtu luhet diçka e madhe. Dihej që do të ndodhte kështu, por ja, po shpresonim kot që të vendosej drejtësi”­ thotë ai për gazetën “Panorama”.
Gëzim Luli thotë me dhimbje se e ka pritur disi që kështu do të ndodhte me vendimin, duke thënë se autorit iu lehtësuan pozitat që prej ditëve të para. “Por minimalisht, meqë thonë që nuk paskan prova për ta mbajtur brenda, po për armëmbajtje pa leje nuk lihet në burg dikush? Është e palogjikshme. Arma e krimit nuk është gjetur akoma. Pse nuk e gjejnë? Ai pse nuk tregon ku e ka hedhur armën, meqë pretendon se ua paska marrë djemve nga dora? Mesa di unë u provua që ai kishte armë pa leje. Tani sanksionet për armëmbajtje pa leje janë edhe më të ashpra, se ligji ka ndryshuar. Pse nuk e lanë në burg, qoftë për këtë?!”­ shprehet ai.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: