TIRANE – Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 30- ditor, biznesmeni ka kundërshtuar këtë vendim në Gjykatën e Apelit. Gazeta “Panorama” shkruan sot se Ymeri kërkon në Apel shuarjen e masës së sigurisë ndaj tij, urdhërimin e lirimit të menjëhershëm, si dhe deklarimin e paligjshëm të arrestimit në kushtet e flagrancës.

Biznesmeni Ymeri akuzohet për “vrasje të kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes se nevojshme” të Adnan Lulit dhe Ervin Shabës, si dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Ngjarja ka ndodhur në vilën e tij. Sipas Ymerit, dy viktimat ishin të armatosur dhe të maskuar dhe ishin futur në banesë për ta grabitur.

Prokuroria: Ymeri qëlloi me armë që i mbante pa leje
Flamur Ymeri, i arrestuar për vrasjen e dy të rinjve në shtëpinë e tij në Selitë dyshohet se ka qëlluar me armë që i mbante pa leje. Sipas prokurorisë “janë gjetur dhe fiksuar një gëzhojë dhe predha të cilat nga dyshimet paraprake nuk i përkasin kalibrit të asnjërës prej dy armëve të gjetura dhe sekuestruara në vendngjarje, duke krijuar dyshimin e bazuar se në vendin e ngjarjes është realizuar qitje edhe me armë të tjera të cilat shtetasi Flamur Ymeri, edhe sipas deklarimeve te tij i ka hedhur në oborr. Por nga këqyrja e vendit te ngjarjes (oborrit, shtëpisë dhe zonës përreth) nuk është gjetur asnjë armë tjetër. Kjo krijon dyshimin se armët janë larguar nga vendi i ngjarjes para mbërritjes së policisë, pasi kanë qenë të disponuara pa leje nga autori”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: