Muaj më parë, kur Autoriteti i Dosjeve, mbajti një konferencë studimore mbi “Emigracionin politik shqiptar” gjatë viteve 1944-1990, tema e rekrutimit të tyre, veçse u cek, më shumë si përgjigje ndaj pyetjeve të mediave, se sa si temë mirëfilli e konferencës. Në atë konferencë, gjithsesi as nuk përfshihej dhe as nuk u soll prej ndonji studiuesi, tema tjetër e vrasjeve të të arratisurve, anipse në çka u tha, doli qartë që qenë të përndjekur hap pas hapi. Vetë jeta e tyre dokumentohej në foto e shenjime, si për të krijuar një biografi të paautorizuar, nga miqtë që takonin për temat që i shqetësonin. Shteti amë i përndiqte pasi i kishte përzënë, por shpesh, kuadri i përndjekjes, e ka tejkaluar veten, duke kryer edhe vrasje, çka nuk gjenden në kuadrot zyrtare të historisë së përcjellë. Në librin e vet “Rrno për me tregue”, At Zef Pllumi tregon për një takim me një personazh të veçantë, që vlen të përmendet, në këtë parantezë. Pater Zefi është shpënë në Shën Vasi përmbi Sarandë, si i dënuar, kur njihet me Zyhdi Çitakun. Ai është nipi i Ramadan Çitakut dhe me të ndan të njëjtin shtrat dykatësh në fjetore. I braktisur prej familjes që e njeh për ‘armik të popullit’ dhe i sëmurë, Çitaku do t’i rrëfente në dëshpërim Pater Zefit, se në rini e kishin çuar në Beograd në një shkollë spiunazhi. Do t’i tregonte se përdorte emra të tjerë e se për 25 vjet, kishte qenë në Çeki, Austri, Francë, Belgjikë e Itali me një detyrë të qartë: “me shtie në grindje, ngatrresa, përçamje, me organizue vrasje e atentate mes të emigrumve. Kisha 60 oficera të shquem në komandë. Sikur ta dijshe sa shpenzime i ka ba qeveria shqiptare për këto veprime t’ulta, ti do mbeteshe pa mend, sepse po t’ishin shpenzue këtu, ky vend do të ish nji vend i lulzuem”, shkruan At Zef Pllumi sipas dëshmisë së Çitakut, në kohën kur e kishin kthyer në Shqipëri dhe po e tretnin në burgje duke e akuzuar për 14 vrasje. Ai flet i penduar para një meshtari, në vitet e mbrame të jetës, mbasi kish besuar se me vrasjet e kryera, jo vetëm që do e prisnin me nderime, pse besonte që po i bënte për të mirën e atdheut, por edhe se në vetëdijen e tij të ndrydhur e shformuar prej dogmave me të cilat e mëkuan, priste që me ato ekzekutime po e zhbinte përgjithnjë të keqen e vendit amë. E zezë e për çudi e ndritshme! E mira e pasosun në të cilën besoi, qe krejt e papërsosun dhe ai e zbuloi mbasi u kthye në atdhe dhe mbërriti të shihte se kishte ngatërruar atdheun me partinë, që si dy drejtëza, ecnin paralel pa u takuar kurrë. I heshtur, i veçuar dhe i braktisur prej të vetmit njeri që deshi me gjithë fuqinë e shpirtit, e bija, ai i ‘rrëfehet´ At Zef Pllumit. Dëshmitë e tij përkojnë kryekëput me ngjarjet në Perëndim. Në vitet ‘60-’70, Sigurimi Shqiptar ka dërguar herë pas here jashtë vendit një numër agjentësh për të kryer vrasje ose ka futur emigrantë në shërbimin e vet për t’i kryer ato. Mes tyre kishte si kosovarë, shqiptarë të Malit të Zi por edhe shqiptarë të ikur ndër vite. Një vrasje e bujshme ishte ajo e Gjon Gjinajt, një ish- parashutist në malet e Mirditës në vitet ’50, i cili u vra nga Sigurimi në SHBA në dhjetor të vitit 1977. Asokohe FBI mbërriti të zbulonte se vrasësi i tij po atë natë që kreu krimin mori një fluturim që kishte si destinacion Beogradin dhe pastaj me shumë mundësi vijoi drejt Titogradit (Podgoricës), nga rrethet e të cilit besohej se banonte. Një atentat tjetër i bujshëm ishte edhe ai kundër Sadik Premtes në vitin 1951 në Paris, ndaj të cilit një agjent i Sigurimit iu vërsul në terr me sëpatë në dorë.

Disa vrasje të kryera në Belgjikë mes të arratisurve shqiptarë, sipas policisë belge besohej se ishin kryer nga emisarë të Sigurimit ose njerëz që punonin për të në radhët e emigracionit politik.

Në fundin e viteve ’70, Sigurimi kishte marrë vendimin për të ekzekutuar përfaqësuesin e katolikëve shqiptarë në Vatikan, françeskanin Danjel Gjeçaj, i cili ishte arratisur me të njëjtin grup me Martin Camajn. Për këtë arsye, njerëzit e Sigurimit pranë Ambasadës shqiptare në Romë kishin instruktuar një agjent të tyrin të futur ilegalisht në Itali nëpërmjet kufirit italo-jugosllav. Personi në fjalë quhej Luan Stermasi, dhe besohej të kishte kryer ndërkaq edhe disa vrasje të mistershme të pazbuluara në radhët e emigracionin politik.

Interpoli dhe SISMI (Shërbimi Sekret Ushtarak Italian) ishin në gjurmët e tija dhe kishin informacion të saktë për kontaktet e Stermasit me Ambasadën shqiptare.
Plani i vrasjes së dom Danjel Gjeçajt ishte kurdisur që të realizohej ndërsa prifti i arratisur shqiptar ndodhej në një vizitë pranë komunitetit shqiptar në Bruksel. Pas ceremonisë kishtare, dy persona që punonin për Sigurimin, do të bënin sikur po ziheshin përpara kishës dhe aty në mes të zënkës, do të shkrepej gjoja gabimisht një armë që do të godiste për vdekje emisarin e Vatikanit. Në çastin e fundit një nga personat në dijeni, bashkëpunëtor i fshehtë i policisë belge lajmëroi Danjel Gjeçajn për rrezikun që i kanosej dhe ky i fundit i përcjellë nga policia e Brukselit u kthye urgjentisht në Vatikan duke u vënë njëherësh në mbrojtje të SISMI-t.
Pas pak ditësh gjendet (siç e përshkruajnë gazetat e kohës) trupi i killerit shqiptar, për të cilin SISMI kishte dyshime që ishte eliminuar nga agjentet e Sigurimit të Ambasadës shqiptare, duke e ndjerë se tashmë kapja e tij ishte vetëm çështje kohe. SISMI madje dyshonte se arma e krimit gjendej e fshehur në Ambasadën shqiptare. Për momentin gazetat nuk ishin në gjendje të jepnin lajme të sakta, madje dikush hidhte hipotezën se në mes, është edhe emigracioni i djathtë kroat. Gjithçka mbyllet në heshtje, kjo do të ishte tentativa e fundit për vrasje në radhët e emigracionit politik. Besohet se me ndryshimin në kupolën e Sigurimit, me pushkatimin e Kadri Hazbiut dhe krerëve të tjerë, organizata famëkeqe e ndërpreu terrorin që ushtronte prej dekadash jashtë vendit. Vrasja e personazhit që jetonte me emrin Luan Stermasi, është dokumentuar në dy gazeta italiane, që po i sjellim më poshtë.

GAZETA “LA STAMPA”
“Gjendet i vdekur: është spiun, terrorist ose i infiltruar mes refugjatëve shqiptarë?” Ky është titulli i një artikulli të së martës së 9 tetorit 1979, në gazetën italiane “La Stampa”. Mbititulli i saj hedh dritë mbi një vrasje të kryer në Itali. “Kundërspiunazhi italian heton mbi një episod misterioz”, ndërsa nëntitulli jep më shumë detaje. “Quhet Ljuan Stermasi, arratisur nga ZAGREBI- Sismi di që është një 007 për të cilin janë ‘krijuar’ precedentë si grabitës. E vështirë të zbulohet detyra që kishte”. Ngjarja e ndodhur në Romë, sqarohet më poshtë në artikullin e plotë të gazetës italiane. Personazhi për të cilin flitet, është një shqiptar që besohet të ketë qenë agjent, për çka italianët pohojnë përfshirjen në hetim edhe të shërbimeve sekrete në shtetin fqinj. Nuk dihet nëse Luan Stërmasi për të cilin flitet të ketë këtë si emër të tijin apo emër të përdorur në dokumentet që e shoqëronin, megjithëkëtë, informacionet e gazetarëve të redaksisë romane të “La Stampa-s” flasin për një agjent me një detyrë të caktuar, siç do të kuptohet nga artikulli i mëposhtëm, përkthyer në besnikëri me origjinalin italisht.

*Artikulli*
Është SISMI (Shërbimi i Sigurisë Ushtarake) që po merret me vrasjen e Ljuan Stermasit, ish të dënuarit shqiptar gjetur i vrarë të premten e shkuar, në një skarpatë të autostradës Pisa-Viareggio, afër zonës së Migliarino-s. Kush ishte Stermasi? Shërbimet sekrete e justifikojnë përfshirjen e tyre duke pohuar se “Ishte një personazh interesant; çfarë ka arritur të bëjë në Itali, nuk dihet; mbase ende nuk kishte nisur të vepronte, mbase nuk kishte arritur”. Duket pra mjaftueshëm e sigurtë se shqiptari 37-vjeçar gjendej në Itali, me një detyrë të caktuar. Sipas disa përshkrimeve, ai, ishte ngarkuar nga policia jugosllave për t’u infiltruar në grupet e mërgimtarëve shqiptarë e jugosllavë me detyrën për të marrë informacione rreth ustashëve, terroristëve të ekstremit të djathtë që rekrutojnë pikërisht mes refugjatëve një pjesë të forcave të tyre.
Nëse ka qenë ky roli i shqiptarit është e mundur që atë e kanë vrarë pikërisht ustashët dhe në këtë drejtim po ndiqen hetimet nga policia e shërbimeve sekrete. Që nga momenti i zbulimit të trupit të pajetë, hetuesit, kishin vënë re që bëhej fjalë për diçka të veçantë. Vrasësit kanë marrë të gjitha masat që të bëhej i vështirë identifikimi i viktimës. Mes të tjerash, është bërë përpjekje që të duket sikur shqiptari është vrarë në vendin ku u gjet, por sipas policisë, është e mundur që Stermasi është transportuar me makinë nga një vend larg, dhjetëra e dhjetëra kilometra larg prej aty, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që vrasja të jetë kryer edhe në Romë. Ai është vrarë me tri të shtëna pistolete, dy prej të cilave në supe. Historia bëhet më e koklavitur nëse marrim parasysh që facoleta e bardhë e palosur në dysh, që Stermasi kishte në krahëror, mund te jetë një ‘mesazh’ ose një ‘sinjal’ siç pretendojnë disa.
Prania në Itali e Stermasit, del diku nga fillimi i ‘78-ës: është kjo koha që policia italiane ka mësuar se ai gjendej në Romë e që ka detyrë të infiltrohet mes mërgimtarëve. Dihet po ashtu që është një i arratisur nga që është ndihmuar të ikë nga burgu i Zagrebit, dhe që precedentët e tij penalë (grabitje, etj), janë të atij lloji që lë të kuptohet se pas tyre fshihen agjentët sekretë. Për policinë tonë është e qartë që Stermasi është një agjent i Lindjes. Mbetet më pak e qartë nëse detyra e tij ka qenë ajo e marrjes së informacioneve mbi ustashët. Por këtu hyhet në botën misterioze të spiunazhit dhe siç duket nga interesi i Sismit në këtë çështje, atë të kundërspiunazhit. Hipotezat janë të shumta. Në Romë megjithëkëtë, këmbëngulet që Stermasi nuk ishte një personazh dosido: çka e dëshmon kujdesi me të cilin ‘roli’ i tij ishte përgatitur, duke nisur që prej arratisjes nga Zagrebi.

GAZETA “LA NAZIONE” (8 tetor 1979)
Përveç “La Stampa”, ngjarja ku përfshihet një shqiptar, është dokumentuar edhe nga një gazetë tjetër italiane. Bëhet fjalë për “La Nazione” ku të dhënat e tejkalojnë artikullin e parë.
*Artikulli*
“Ishte kreu i një rrjeti terrorist, i huaji i gjetur i vrarë në Pisa”. Organizata të cilës i përkiste shqiptari, kishte detyrë të ‘spastronte’ kundërshtarët e regjimit komunist të arratisur në Perëndim. Në Itali viktima do të hynte në kontakt me refugjatët në kampe.
Tani është gjithçka shumë më e qartë. Ljuan Stermasi, klandestini shqiptar që u gjet i vrarë të premten në mëngjes, në skarpatën e autostradës, Livorno-Sestri Levante, nuk ishte ai hajduti i makinave që donin të na bënin të besojmë, por përkundrazi është një nga drejtuesit e një organizate terroriste paraushtarake, misterioze dhe e ashpër që vepron në Itali dhe në shumë vende të tjera të Europës oksidentale.
Sipas informacioneve të marra nga shërbimet sekrete italiane, do të kishte për detyrë të “spastronte” të arratisurit nga Shqipëria, domethënë, me fjalë më të thjeshta, të eliminonte fizikisht, ata që ishin kundër regjimit komunist të Republikës Socialiste të Shqipërisë, ata që gjetën strehim jashtë vendit, të ikurit që në të shumtën e rasteve gjendeshin në kampe refugjatësh.
Luani Stermasi me maskën e tij guerile siç kamuflohej ose u përpoq të kamuflohej duke bërë vjedhje makinash të parkuara, ishte i njohur, thuhet, për shërbimet e sigurisë. Kështu që të shtunën në mëngjes kur truri elektronik i Criminalpol, u pyet për të zbuluar se kujt i korrespondonin shenjat e gishtërinjve të njeriut të gjetur të vrarë në autostradën midis Pisa dhe Viareggio-s, u përgjigj se ato i përkisnin shqiptarit, atëherë shërbimet tona sekrete filluan të punojnë.
Është e qartë se Ljuan Stermasi është vrarë i tradhtuar: ekzaminimi i jashtëm i kufomës e ka konstatuar në të vërtetë – sot megjithatë do të ketë konfirmime të sakta nga autopsia e urdhëruar nga gjyqësori i Pisës – që ai ishte qëlluar nga tre plumba të shtënë në një distancë të shkurtër ndërsa ishte me shpinë nga ai që e qëlloi. Njëri plumb e ka kapur në lartësinë e rruazës së parë afër qafës; një tjetër në qendër të shpinës, ndërsa i treti, ka prekur mushkërinë e majta.
Kush mund të ketë pasur interes për të vrarë shqiptarin? Ljuan Stermasi mund të jetë vrarë – në këtë pikë – nga dikush që është kundër regjimit komunist në vendin e tyre dhe që mësoi për identitetin e vërtetë të emigrantit të paligjshëm; nga frika se mos eleminohej, ai veproi së pari. Stermasi, sipas një hipoteze tjetër mund të kishte rënë në grackën e një grupi refugjatësh shqiptarë, të njëjtët që nga jashtë, përpiqen të luftojnë Partinë e Punës, atë Parti që qeveris Shqipërinë dhe që mori emrin e saj në 1949 nga Partia Komuniste. Dhe në fund, emigranti i paligjshëm mund të jetë vrarë nga e njëjta organizatë së cilës i përkiste sepse papritmas u bë një person i pakëndshëm, një dëshmitar i rrezikshëm.

Hipoteza e fundit është më e pakta e mundshme, edhe sepse, gjithnjë sipas informacionit që kanë në duar Shërbimet Sekrete Italiane, Stermasi mbante një post të spikatur brenda hierarkisë terroriste; ka edhe nga ata që e tregojnë si kryetarin e grupit përgjegjës për të vepruar në Itali. E sigurt është në çdo rast, se që nga viti 1978 kur Stermasi mbërriti në mënyrë klandestine në vendin tonë, ai ka qenë shumë aktiv: dihet që për njëfarë kohe gjeti strehim në disa kampe refugjatësh në veri të Italisë, ku thuhet se ai kishte ardhur duke pretenduar gjithashtu se ai ishte gjithashtu kundërshtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Para se të mbërrinte në Itali, Stermasi ishte arrestuar në Jugosllavi dhe ishte burgosur në Zagreb. Ai ishte akuzuar atëherë, siç ka ndodhur edhe në vendin tonë për vjedhje të vogla dhe grabitje, krime për të cilat agjentët e shërbimeve sekrete të gjysmës së Evropës, besojnë se janë kryer nga i njëjti Stermasi për të mbuluar, përsërisim, misionin e tij të vërtetë, atë të “pastrimit” të të persekutuarve politikë. Nga Zagrebi apo më saktë nga burgu i Zagrebit, klandestini, arriti të ikte, duke organizuar një arratisje të bujshme. Policia perëndimore humbi kontaktin me të për sa kohë që dihej se ai kishte ardhur në Itali, kishte qëndruar te një çift refugjatësh dhe më pas gjeti strehim në kryeqytet. Lajmet në këtë pikë bëhen fragmentare; është e qartë se vdekja e shqiptarit sot rihap një diskutim mbi dhunën politike që ka rrënjë në vendin tonë, dhe ripropozon pyetje të vjetra në lidhje me mundësinë e lidhjeve midis terroristëve italianë, që ka qenë veçanërisht aktive vitet e fundit, dhe grupeve terroriste të vendeve të Lindjes. Kjo është arsyeja pse burimet e informacionit janë të heshtura; ato pak gjëra që janë bërë të njohura, janë mundësuar nga mungesa e diskrecionit, fjalë të thëna dhe ato të pathëna. Sidoqoftë, që Ljuan Stermasi ishte një personazh i rëndësishëm, e dëshmon jo vetëm heshtja e çuditshme të hetuesve, por edhe rituali që ndoqën vrasësit e tij për ta vrarë dhe për të zhdukur trupin e tij. Sipas hetimeve të fundit (hetimi i bazuar për momentin vetëm në ekzaminimin e jashtëm të kufomës) duket se Ljuan Stermasi u vra të paktën tre ose katër orë para se kufoma e tij të hidhej në anë të autostradës Livorno-Sestri Levante, etj. ndërmjet Pisa dhe Viareggio-s. Kjo, i bën hetuesit të besojnë se shqiptari u vra në Romë, qyteti ku ai punoi, dhe për këtë arsye, për të devijuar hetimin, është sjellë qindra kilometra larg. Mungesa e dokumenteve vonoi identifikimin e tij. E gjithë kjo, me sa duket, i lejoi ata që kishin kryer krimin të shpëtonin, ose gjithsesi, të blinin kohë. Por, a është braktisja e kufomës vetëm një fakt ‘teknik’? Hetuesit besojnë se po, megjithëse nuk e lënë pas dore, natyrisht, një hetim për zonën. Hetimet kryhen jozyrtarisht – gjithashtu në Alto Adige dhe Veneto, ku thuhet se ka grupe të trajnuara mirë të organizatës terroriste./Gazeta Shqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb