TIRANË

Nuredin Dumani është njohur sot me masën e sigurisë për një tjetër krim për të cilin akuzohet.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata e Posaçme njohu me masën e sigurisë “arrest në burg” Nuredin Dumanin, të marrë në mungesë ndaj tij. Seanca u bë në ambientet e Spitalit të Traumës, ku Dumani ndodhet pas plagosjes në atentatin e dy ditëve më parë në Papërr. Bëhet fjalë për akuzën e ngritur nga GJKKO për 4 vrasje në Durrës.

Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen ndaj grupit të Talo Çelës, të akuzuar për dy ngjarje kriminale me 4 viktima. Në gjykim kaloi dosja për Besian Xhixhan, Enver Divan, Altin Ndocin dhe për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Klevis Allën. Kurse për të pandehurit Talo Çela dhe Nuredin Dumani gjykata pezulloi me një vit çështjen, për shkak se ata ende nuk ishin arrestuar. Të pandehurit akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia dhe Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia.

Ndërkohë pasdite pritet që ndaj 39-vjeçarit të jepet dhe masa nga Gjykata e Elbasanit, po në ambientet e spitalit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb