Dallëndyshe dhe Vullnet Metaj, prindërit e Qani Metaj, 25-vjeçarit që mbeti i vdekur në një aksident rrugor më 17 shtator të vitit të kaluar, kërkojnë drejtësi për djalin e tyre.

Vetë Dallëndyshja ka deklaruar se gjykata nuk ka dhënë vendim të drejtë, pasi autori jo vetëm që shkaktoi aksidentin, por u largua nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmën e parë.

Dallëndyshja deklaron se edhe pse kanë kaluar disa muaj, ende nuk kanë në dorë ekspertizën mjeko-ligjore që të vërtetojnë shkakun e vdekjes dhe nëse i biri do të shpëtonte nëse do kishte marrë ndihmë nga autori.

Dallëndyshe Metaj shton se gjyqi nisi vetëm pasi ajo doli në media dhe takoi kryeprokurorin Olsian Çela gjatë një vizite të këtij të fundit në Fier.

Gjykata ka vendosur të njëjtën masë që është kërkuar nga prokuroria, si dhe moslejimin e lirimit me kusht.

Kështu, Klaus Mahmuti, në bazë të vendimit të gjykatës do të vuajë një dënim përfundimtar prej 5 vitesh e 4 muaj në një burg të sigurisë së zakonshme, ndërsa është deklaruar fajtor për veprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e shtetasit Qani Metaj dhe “Largim nga vendi i aksidentit”. Prindërit e 25-vjeçarit të ndjerë shtojnë se do kërkojnë drejtësi, madje çështjen do ta dërgojnë në SPAK, ambasadën amerikane e deri në Hagë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb