Një 31 vjeçar nga Kukësi ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur pas një sherri në një lokal nate në Prizren.  Autoritet bëjnë me dije se është arrestuar autori Dibran Hoxhaj. Mësohet se janë shoqëruar nga autoritetet edhe disa persona të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në hyrje te qytetit të Prizrenit në lokalin e njohur me emrin “Kobra”, pas sherri fizik të ndodhur mes tyre në lokalin e autorit.

Mësohet se tre shqiptarë nga Kukësi janë përplasur me disa shqiptarë të Kosovës në lokalin e natës që po frekuentonin. Nga sherri sipas policisë së shtetit ka mbetur i vdekur 31-vjeçari Visart Cengu nga Kukësi dhe i plagosur ka mbetur Rufgen Shehu, 27 vjeç.

Viktima, së bashku me të plagosurin dhe shokun e tyre Arben Basha janë konfliktuar fizikisht me Dibran Hoxhën, pronari i lokalit të natës ‘Kobra’ në Prizren.

Më pas sherri ka agravuar në përdorimin e armëve. Teksa tre kuksianët po largoheshin me makinë janë qëlluar me arme.  Plumbat kanë prekur dy prej tyre dhe më pas ata janë nisur drejt spitalit të Kukësit,  por Cengu ndërroi jetë rrugës.

27-vjeçari, pas ndihmës së parë mjekësore në urgjencën e spitalit të Kukësit është transportuar në Tiranë për ndihmë më të specializuar.

Ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morgun e Tiranës për t’iu nënshtruar autopsisë pasi në Spitalin Rajonal të Kukësit mungojnë specialistët e mjekësisë ligjore.

Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.

Autori i ngjarjes  Dibran Hoxhaj ka qenë i dënuar më parë për vrasje,  trafik droge  dhe përleshje fizike në Prizren.

Policia e Kosovës, ka konfirmuar se pronari i lokalit Kobra City, Dibran Hoxha është arrestuar, pasi dyshohet për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i tha gazetareve se së bashku me Hoxhën në stacionin policor janë shoqëruara edhe pesë persona të tjerë të cilët kanë dijeni për ngjarjen.

(Balkan Web)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb