SHKODER- Gjykata e Shkodrës ka caktuar sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për 32-vjeçaren Xhoana Hila dhe të dashurin e saj Erando Qatipi, të cilët akuzohen për vrasjen e gjyshes së të resë, gjatë grabitjes së florinjve në banesë.

Dy të rinjtë që mendohet se kishin lidhje intime me njëri-tjetrin pasi i kanë grabitur sendet me vlerë dhe një shumë të hollash kanë dhunuar për vdekje duke e mbytur me jastëk 82-vjeçaren Angje Hila. 32-vjeçarja së bashku me të dashurin kishin shkuar për vizitë te shtëpia e gjyshes dhe pasi kanë qëndruar për rreth një orë e kanë grabitur e më pas e kanë mbytur atë.

Ngjarja sipas policisë është raportuar më datë 25.02.2015 nga djali i të moshuarës Nikolin Hila që është edhe babai i vajzës. Por që nga ajo ditë policia e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen duke e zbardhur pas tre muajsh hetime. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë bashkëpunuar prej tre muajsh me metoda speciale të hetimit, duke vënë në përgjim dy të dyshuarit. Ndërhyrja është kryer në momentin që kishte prova të mjaftueshme për t’iu adresuar atyre dyshimet e kryerjes së këtij krimi të rëndë.

Në sallën e gjyqit, e gjendur përballë fakteve të sjella nga organi i akuzës, 32-vjeçarja ka pranuar se kishte dijeni për krimin, por ajo ia ka adresuar autorësinë të dashurit të saj. Gjatë dëshmisë së saj, ku shfaqi shenja pendese, vajza pohoi se ‘gjyshen e mbyti i dashuri me jastëk’. Ajo ka shtuar më tej se i dashuri i saj, Erando Qatipi ishte nën efektin e alkoolit. Nga ana tjeter i dashuri i saj Erando Qatipi e ka pranuar autorësinë e krimit monstruoz.

Policia e Shkodrës pas hetimeve intensive vërtetoi se pas vdekjes së dhunshme të 82-vjeçares Angje Hila nga Shkodra, qëndron mbesa e saj Xhoana, 32 vjeç. Në foto duket një vajzë e bukur, elegante dhe e brishtë, por në polici ka pranuar se është e përfshirë në vrasjen e së gjyshes së bashku me të dashurin e saj Erando Qatipi, 3 muaj më parë.

Burime nga Prokuroria e Shkodrës bënë të ditur se çifti i të arrestuarve, Xhoana Hila dhe bashkëjetuesi i saj pesë vite më i vogël, Erando Qatipi, fillimisht kanë tentuar të mohojnë krimin. Ata kanë deponuar se nuk kishin dijeni për krimin dhe se e moshuara kishte ndërruar jetë për shkaqe natyrale. Por alibia e tyre është rrëzuar kur janë përballur me provat e mbledhura nga organi i Akuzës, që kishin të bënin me përgjimet në forma të ndryshme, ku mes të tjerash ata kanë diskutuar edhe në lidhje me krimin që kishin kryer në bashkëpunim.

FLET FQINJI: E MOSHUARA GRUA ME VLERA, MBESA NUK E VIZITONTE

News24 ka qenë në lagjen “Gjuhadol” pikërisht në banesën e viktimës. U munduam të kontaktojmë me babain e Xhoanës por ai nuk pranoi që të flasë. Ndërkohë banorët thonë se Angje Hila ishte një grua shumë e mirë dhe paqësore me të gjithë. Ata nuk duan ta besojnë akoma ngjarjen, ndërsa tregojnë se mbesën e njihnin vetëm si fytyrë sepse jetonte në Tiranë.

Fqinji Llesh Lleshi tha se e moshuara ishte një grua me vlera dhe pa fjalë, ndërsa mbesa e saj nuk e vizitonte pothuajse kurrë. “E moshuara ishte një grua me vlera dhe pa fjalë. Nuk e di si ka ndodhur kjo, mbesa nuk e vizitonte gjyshen në banesë pothuajse asnjëherë. Ajo jetonte në Tiranë. Por më vjen mirë që u zbardh ngjarja dhe doli e vërteta. E moshuara ka jetuar me të atin e vajzës, Nikolinin”, tha fqinji i viktimës.

KUSH ISHTE XHOANA HILA?

Siç mësohet 30-vjeçarja jetonte në Tiranë bashkë me të dashurin, por nganjëherë vinte në shtëpinë e saj në lagjen “Gjuhadol” të Shkodrës aty ku jetonte gjyshja së bashku me babain e saj. Prindërit e Xhoana Hilës ishin ndarë prej disa vitesh dhe nëna e saj jetonte në Itali e babai në Shqipëri. Babai i vajzës prej vitesh ishte i papunë dhe jetonte me nënën e tij Angjen, 82 vjeçe. Ndërkohë ka qenë xhaxhai i vajzës, i cili pas vdekjes së të ëmës kishte konstatuar se ishin zhdukur bizhuteritë dhe për këtë ka bërë denoncim. Xhoana Hila kishte një djalë 3-vjeçar nga një lidhje tjetër jashtëmartesore. Burime për News24 thonë se 32-vjeçarja ishte përdoruese e lëndëve narkotike, ndërsa vitet e fundit punonte edhe si striptiste nëpër lokalet e natës në Tiranë.

 

(ed.me/m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb