Gjykata e Elbasanit dënoi në mungesë me 17 vjet burg Erjon Llapushin si autor të vrasjes makabre të kamerierit Gazment Kurmaku për tavolinën e rezervuar në restorantin e “Rozafa City”, në Labinot Fushë të Elbasanit.
Por gjyqtarja Yrfet Shkreli ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar duke dënuar përfundimisht Llapushin me 11 vite burg.
Për këtë ngjarje të 20 tetorit 2021, prokuroria kërkoi dënimin e me 20 vjet burg.
Sherri mes tyre, nisi për një tavolinë të rezervuar, ku mësohet se kryekamarieri, Gazment Kurmaku i ka bërë me dije Llapushit, se ajo ishte e zënë dhe nuk duhej të ulej aty.
Llapushi kapi nga fyti Kurmakut, e kërcënoi me thikë, e më pas e goditi, ndërsa viktima në rënie përplasi kokën në dysheme. Bashkëpunëtori i Llapushit, Luan Dulellari nuk bëri asnjë lëvizje për të ndaluar autorin apo për të mbrojtur viktimën, por u arratis pas ngjarjes.
57-vjeç, kryekamarier, Gazment Kurmali ndërroi jetë në spital 5 ditë pasi pësoi lëndime të rënda në kokë.
Njoftimi i Gjykatës së Elbasanit
Sot më datë 23.01.2025 është zhvilluar seanca gjyqësore për të pandehurin Erjon Llapushi me Trup Gjykues Kryesues Gjyqtaren Yrfet Shkreli.
Rezulton vendimmarrje sot më datë 23.01.2025 “Deklarim Fajtor” për veprën penale ” “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim.
Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimit të caktuar, i ulet 1/3 e tij, duke e dënuar përfundimisht me 11(njëmbëdhjetë) vjet e 4 ( katër) muaj.
***
Erjon Llapushi është personazh i skeduar për aktivitet kriminale, dhunë dhe rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe deri më tani nuk është lokalizuar nga policia vendndodhja e tij. Pak ditë më parë RENEA ushtroi kontroll në shtëpinë e tij në Pogradec, por nuk e gjeti.
(BalkanWeb)