KORÇË

Gjykata e Korçës ka dhënë masën “arrest me burg” ndaj 42-vjeçarit Zamir Topi i cili vrau me sëpatë bashkëfshatarin e tij, 50-vjeçarin, Dashnor Osmani.
Zamir Topi, u arrestua 3 ditë me parë pak metra nga vendngjarja, në afërsi të ‘Pazarit të Vjetër’ ku ndodhi edhe ngjarja horror.

Me bluzë sportive, flokët kapur bisht dhe me sytë gjithë kohës të fokusuar në një pikë, Zamir Topi ka refuzuar t’iu përgjigjet pyetjeve të Gjykatës.
Ishte vetë dëshmia e tij që hodhi dritë mbi ngjarjen e rëndë, pasi 42-vjeçari rrëfeu arsyet që e kishin çuar në krimin e rëndë. Të dy prej kohësh ishin në një konflikt për një vend në varreza.

Dashnor Osmani kishte varrosur të atin pranë varrit të nënës së autorit, ndërkohë që të dy ishin prej 5 vitesh në këtë konflikt, duke mos arritur asnjëherë dakortësi për zhvendosjen e eshtrave të të atit të viktimës larg varrit tjetër.

Burimet nga qendra e shëndetit mendor bënë të ditur se, Zamir Topi është person me probleme mendore. Të njëjtat burime thanë se 42-vjeçari është i kartelizuar pranë kësaj qendre dhe ka qenë nën kujdesin e mjekëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb