ZVICER- Gjykata rajonle në Biel/Bienne, kantoni i Bernës ka dënuar të premten një shqiptar të Maqedonisë me dhjetë vjet burg për vrasje me paramendim. Është konstatuar se ai ka vrarë një shtetas nga Kosova në parkingun e një shtëpie publike.

Dy vjet më parë shqiptari 43-vjeçar nga Maqedonia vrau bashkëkombësin e tij 39-vjeçar nga Kosova. Ky krim ka ndodhur në afërsi të një shtëpie publike në lokalitetin Lätti të komunës Rapperswil, të kantonit të Bernës.

Sherri mes të dy shqiptarëve kishte nisur kur ata ende ndodheshin brenda klubit, në bar. 39-vjeçari nga Kosova ishte aty së bashku me dy zviceranë, të cilët bashkë me prostitutat e lokalit kishin tentuar t`i pajtonin palët në konflikt.

Pastaj të tre shokët ishin nisur për në shtëpi, por kishin ndërruar mendje dhe ishin kthyer në lokal për të kërkuar sqarime nga shqiptari i Maqedonisë, shkruan “Bernerzeitung.ch”.

Në parkingun e klubit konflikti ishte përshkallëzuar, e si pasojë kosovari mori plagë të rënda nga goditjet me thike, prej të cilave ndërroi jetë disa minuta më vonë në spital. Sipas konstatimit të bërë nga trupi gjykues i Gjykatës Rajonale në Biel/Bienne, 43-vjeçari e kishte goditur me thikë njërin nga shokët zviceranë të kosovarit, duke i shkaktuar plagë në gjoks.

Pastaj ai e goditi kosovarin i cili nga plagët e marra ndërroi jetë në spital. Shqiptari i Maqedonisë ka pranuar para trupit gjykues se kishte pasur me vete një thikë dhe se thika që policia e ka gjetur afër vendit të krimit, ka qenë e tij.

Por ai thotë se nuk e di kush i ka shkaktuar goditjet me thikë.

Ndërkohë që për trupin gjykues është krejtësisht e sigurt se autori është vetë ai, shkruan “albinfo.ch”. Kjo dëshmohet qartë edhe nga gjurmët e ADN-­së, të gjetura përveç tjerash tek thika.

Prokurori ka kërkuar dënim me 12 vjet burg për vrasje, ndërsa avokati i të akuzuarit është shprehur për shpalljen e pafajësisë së tij lidhur me akuzën kryesore, të vrasjes me paramendim. Sipas avokatit, klienti i tij kishte dashur vetëm të mbrohej nga tre personat që e kishin sulmuar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: