Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë, një 47-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Nga ZQK Interpol Tirana, falë bashkëpunimit me autoritet e Mbretërisë së Bashkuar, u krye ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit Defrim Iseberi, 47 vjeç. Ky shtetas, është arrestuar nga autoritet policore në Mbretërinë e Bashkuar në zbatim të urdhër-arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Apelit Shkodër, në vitin 2016, e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Ky shtetas më datë 16.10.1997, në Kukës, ka qëlluar me armë zjarri shtetasin D. M., i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.

Në vitin 1997, te hotel “Gjallica” në Kukës ai goditi, me armë për vdekje një roje sigurie, i cili disa muaj më pas ndërroi jetë në spital. Dëfrim Iseberi në vitin 1997 do të futej ilegalisht në Angli ndërkohë që drejtësia shqiptare e dënoi në mungesë me 20 vite burg.

Policia britanike për kapjen e tij kërkoi edhe ndihmën e publikut përmes programit televiziv ‘Crimewatch’ në BBC1. Megjithëse në kërkim nga drejtësia shqiptare, Dëfrim Iseberi në vitin 2011 kishte postuar një video në YouTube duke luajtur futboll.

Nga kjo video policia angleze mundi të përftojë një imazh të ri se si dukej i shumëkërkuari drejtësisë shqiptare. Iseberi në Angli përdorte një identitet të rremë nën emrin Agim Mema. Megjithëse ishte i kërkuar për vrasje në Shqipëri, Iseberi kishte gjetur guximin të aplikonte për nënshtetësi britanike madje merrte edhe asistencë sociale si person në nevojë.

Dëfrim Iseberi mundi mjeshtërisht t’i shmangej arrestimit nga skuadra e ekstradimeve në Londër. Arratia e tij 23-vjeçare mori fund janarin e vitit të kaluar dhe më pas nisën procedurat e ekstradimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb