TIRANË

Policia e Tiranës ka arrestuar një shtetas francez, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.

Në pranga ka rënë 27-vjeçari Tedi Qirjako, pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, i cili pas vrasjes në Francë kishte hyrë në Shqipëri dhe jetonte me qira në një shtëpi te “Rruga e Barrikadave”.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet një tjetër operacion policor, i koduar “Barrikada”, për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni nga Sektori i Hetimit të Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana.

Kapet një shtetas francez , i shumëkërkuar për vrasje në Francë.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë vazhdon puna e pandërprerë për kapjen e personave në kërkim për krime të rënda ndaj jetës.

Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Interpol Tiranën, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Barrikada”, në kuadër të të cilit, në Rrugën e Barrikadave, në një banesë të marrë me qira, u bë e mundur kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

T. Q., 27 vjeç, lindur dhe banues në Nantes, Francë, pasi Gjykata e Nantes, Francë, më datë 23.10.2019, i ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit ”Burgim i përjetshëm”.

Ky shtetas, dyshohet se në Nantes, Francë ka vrarë me pistoletë një shtetas dhe më pas është larguar në drejtim të Shqipërisë, ku ka hyrë me dokumentacion të rregullt para se të shpallej në kërkim ndërkombëtar.

Materialet e arrestimit, me qëllim ekstradimin e tij drejt Francës, do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: