Polici Vllaznim Hamdia, i dyshuar për vrasjen e Lulzim Spahiut, është sjellë nën masa të rrepta të sigurisë në Gjykatën e Gjilanit. Ai ka rrëfyer momentin kur ka gjuajtur me armë në drejtim të tashmë të ndjerit Lulzim Spahiu.

“Në momentin kritik nuk kam qenë i dehur pasi para atij momenti kam pirë. Por rasti ka ndodhur pas 6 apo 7 ore”, ka thënë ai para gjykatësit të gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

Polici i dyshuar më tej ka rrëfyer se viktimën kurrë nuk e ka njohur as nuk e ka takuar. “Kur ka ndodhur aksidenti jam kërcënuar nga pasagjeri, i cili ka qenë në kamion. Momentin kritik i kam pasur tre pistoleta, njëra nga to ka qenë me gaz, pistoletën zyrtare e kam pasur në brez dhe nuk e kam pasur uniformën veshur. Unë kam shkrepur me armë zyrtare, por nuk kam pasur qëllim të godas viktimën”, ka thënë ai. Ai më tej ka thënë se nuk e kundërshton kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Sipas kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit për caktimin e paraburgimit, ekziston dyshimi i bazuar që i dyshuari Vllaznim Hamdia, më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në rrugën ‘’NATO 99’’, në Gjilan, ka privuar nga jeta të ndjerin Lulzim Spahiun.

  • foto galeri

Ngjarja sipas dosjes së Prokurorisë ka ndodhur derisa ishte duke lëvizur me makinën e tij, shkaktohet aksident trafiku me kamionin, të cilin ishte duke e drejtuar i ndjeri Spahiu. Pastaj, në dosjen e Prokurorisë thuhet se pas aksidentit, i dyshuari del nga vetura dhe pas kacafytjes, kërcënimeve dhe sharjeve mes tij, viktimës dhe djalit të viktimës, i dyshuari e nxjerrë armën e zjarrit dhe pasi viktima hyn në kamion, i njëjti afrohet tek dera e kamionit dhe me armë gjuan një herë në drejtim të tij, me ç’rast e godet nën vetullën e syrit të djathtë.

I njëjti (viktima) për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.Me këto veprime, i dyshuari Vllaznim Hamdia dyshohet se ka kryer vrasja të rëndë.Tutje sipas kërkesës së Prokurorisë së Gjilanit, i njëjti dyshohet edhe për dy vepra penale si: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi që i janë gjetur edhe dy revole të tjera dhe fishekë të llojeve të ndryshme. Vllaznim Hamdia Dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm,  pasi që para rastit të ndodhur, derisa ishte duke dëgjuar muzikë në një lokal në fshatin Malishevë, në brendësi të lokalit ka shkrepur me armë zjarri. /Kallxo.com/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb