Policia e Shtetit deklaron së është kapur në Itali autori i vrasjes së babë e bir, Nezir e Gentian Beqiraj në vitin 2012. Një ngjarje e bujshme, pasi kujtojmë se Beqiraj ruhej me policë dhe ndodhej në arrest shtëpie.

Policia e Shtetit informon se gjatë paradites së sotme, si rezultat i bashkëpunimit të Task-Forcës Speciale, në Departamentin e Policisë Kriminale, DVP Elbasan, Interpol Tiranës me Zyrën Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë dhe me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi në Rimini të Italisë, i shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar Etien Cani, 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendim penal nr. 480, datë 12.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”, në lidhje me vrasjen e shtetasit Gentian Beqiraj, (alias A. M.,) dhe të babait të tij shtetasit Nezir, ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012 në lagjen “Çlirimi” Elbasan.

Task – Forca Speciale kishte marrë informacione në rrugë operative, se ky shtetas fshihej në Itali dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit mes Interpol Tirana dhe Interpol Romës, si dhe Zyrës Ndërlidhëse të Oficerëve Italianë në vendin tonë, paraditen e sotme u bë e mundur kapja e tij, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
Në kuadër të operacionit “Krasta”, më 14 qershor u arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe shtetasi i kapur sot në Itali.
Policia deklaron se operacioni “Krasta” vijon.

NGJARJA
Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentjan Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij, në lagjen “Sporti i Vjetër” të Elbasanit. Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë babai i tij, Nezir Beqiri, i cili ndërroi jetë pak minuta pas të birit. Fillimisht u dyshua se Nezir Beqiri kishte pësuar infarkt pas vrasjes së të birit, por ekspertiza mjeko-ligjore përcaktoi se i moshuari ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shumta që ka marrë në trup. Ekzekutorët e kanë goditur disa herë në mushkëri, duke i shkaktuar hemorragji e pas disa minutash në urgjencën e qytetit, ai gjeti edhe vdekjen.

Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në vitin 2005 Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh, 40-vjeçari Gentjan Beqiri ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje. Ai vuante nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, për shkak të një tentative arratisjeje nga qelitë e paraburgimit. Vrasjet janë kryer në gjakftohtësi dhe dy efektivët rojë nuk e kanë kuptuar që ekzekutorët kanë kryer krimin. Ata e kanë marrë njoftimin vetëm pasi ka ardhur ambulanca.

TË DYSHUARIT
Për vrasjen e babë e bir, Policia e Elbasanit pati arrestuar në atë kohë Florenc Çapjan dhe A.J.. Por disa ditë më pas, Gjykata e Elbasanit ka liruar nga burgu njërin prej të akuzuarve për vrasjen e Nezir dhe Gentjan Beqirit. Në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë për dy të akuzuarit, trupi gjykues ka lënë sërish në “Arrest me burg” të dyshuarin A.J., ndërsa Florenc Çapja u vendos që të gjykohej në gjendje të lirë deri në përfundim të procesit. Në seancën e mëparshme Gjykata i kishte lënë 60 ditë kohë Prokurorisë dhe Policisë për të faktuar akuzën e vrasjes ndaj të arrestuarve Florenc Çapja dhe A.J., që akuzohen për ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur paraditen e 15 gushtit 2012. Ndërsa avokatët mbrojtës kishin paraqitur prova se ditën e ngjarjes klientët e tyre nuk ndodheshin në qytetin e Elbasanit, madje Çapja nuk ka qenë në Shqipëri.

ZBARDHJA
Më 15 qershor zv.drejtoresha e përgjithshme e Policisë, Aida Hajnaj, doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se autorët e vrasjes së babë e bir ishin identifikuar dhe shpallur në kërkim.
Për këtë vrasje u shpallën në kërkim Ervis Bardhi, 38 vjeç, nga Kavaja e banues në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit, si dhe Etien Cani, 29 vjeç, banues në lagjen “Çlirimi” të këtij qyteti.

“Për procedimin penal nr.1121/ 2012, i regjistruar për veprat penale të ‘Vrasjes në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim’, ‘Mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak’, që bën fjalë për vrasjen e shtetasit G.B. (alias A.M) dhe të babait të tij, shtetasit N.B., ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012, në lagjen ‘Çlirimi’ Elbasan, nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se autorë të kësaj ngjarjeje janë shtetasit: Ervis Bardhi, 38 vjeç, lindur në Kavajë dhe banues në Elbasan, i cili është shpallur në kërkim dhe Etien Cani, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, i cili është shpallur në kërkim”, tha zyrtarisht Policia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb