Zyrtarët në Baton Rouge të shtetit Luiziana njoftuan se janë qëlluar me armë disa policë: 3 prej tyre kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është në gjendje të rëndë në spital, pasi të paktën një person i armatosur i veshur me të zeza dhe me maskë ka hapur zjarr me pushkë.

Një zëdhënës i policisë tha se një prej të dyshuarve është vrarë dhe po zhvillohen kërkime për të dyshuar të tjerë, që mendohet të jenë në gjendje të lirë.

Shtëpia e Bardhë thotë se zyrtarët kanë njoftuar Presidentin Obama për incidentin dhe se autoriteteve lokale u janë dërguar përforcime të tjera.

Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards, e cilësoi incidentin e sotëm “një sulm të papërshkrueshëm dhe të pajustifikueshëm ndaj të gjithëve ne në një kohë kur kemi nevojë për unitet dhe shërim.”

Në Baton Rouge pati një tjetër inrident me armë zjarri më fillim të muajit, kur disa policë vranë një afrikano-amerikan.

Alton Sterling u vra më 5 korrik, ndërsa po shiste CD jashtë një dyqani. Momenti i vrasjes së tij u regjistrua me një telefon celular dhe qarkulloi në mediat sociale.

Vrasja e Sterling, krahas me vrasjen e një afrikano-amerikani në shtetin e Minesotës, shkaktoi protesta lidhur me trajtimin e pakicave nga zyrtarët e ligjit.

Në njërën prej këtyre protestave një snajper afrikano-amerikan qëlloi me armë zjarri, duke vrarë pesë policë të bardhë në Dallas të Teksasit.

Presidenti amerikan Barack Obama dënon vrasjet e policëve në Luiziana. Ai thotë se këto sulme janë vepër e frikacakëve. “Sulmet ndaj policisë janë një vepër e frikacakëve. Sulmet ndaj policisë nuk flasin për askënd. Sulmi ndaj nëpunësve publikë duhet të ndalet”, ka theksuar Obama.

Pas ngjarjes në Louiziana ka reaguar kandidati republikan për president, Donald Trump. Ai ka shprehur hidhërimin për vrasjen e 3 oficerëve ndërsa ka theksuar se duhet ligj dhe rregull.
“Jemi të brengosur për oficerët e vrarë. Sa njerëz duhet të vdesin për mungesë të lidershipit? Ne kërkojmë ligj dhe rregull”, ka thënë Trump.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: