Një 49-vjeçar është vrarë mbrëmë në Mitrovicë, kurse një person tjetër ka mbetur i plagosur.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti konfirmoi për Telegrafin, se rasti ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës.

“Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë. Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në kujdes të mëtejshëm mjekësor”, deklaroi ai.

Zaiti shtoi më tej se pas ekzaminimeve të kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin.

“Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë”, deklaroi ai.

Zahiti pohoi se “rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim të arrestimit të personave të dyshuar si dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë”.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb