Një vrasje ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në Prishtinë, njofton Insajderi.

Rastin për Gazetën Online Insajderi e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se vrasja ka ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Ndue Përlleshi” në kryeqytet.

Ajo tha se policia është në vendin e ngjarjes dhe po i merr të gjitha veprimet e nevojshme në hetimin e rrethanave.

Ahmeti ka bërë të ditur se është arrestuar personi i dyshuar dhe është konfirmuar një armë e përdorur në rast.

“Rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në rrugën ” Ndue Perlleshi” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Një person është arrestuar si dhe është konfiskuar një armë, që dyshohet të jetë arma e  përdorur në rast. Aktualisht jemi në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe atyre të ekzaminimit te vendngjarjes në funksion të ndriçimit të plotë të këtij rasti​.”, tha Ahmeti për redaksinë.

Siç raportohet, bëhet fjalë për një konflikt familjar, ku babai ka qëlluar për vdekjen të birin e tij.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb