SHBA- Mediat amerikane raportojnë se është vrarë në moshën 89-vjeçare “gangster i Bostonit”, James “Whitey” Bulger.

Ai po vuante dënimin në një nga burgjet federale të SHBA-ve në Virxhinian Perëndimore.  “Gangsteri”,  u dënua në vitin 2013 për 11 vrasje të kryera, ndërsa veprimtaria e tij frymëzoi edhe krijimin e disa  filmave në Hollivud, raporton “BalkanWeb”.

Ai u gjet i vdekur në qelinë e burgut,  edhe pse siguria është në nivele shumë të larta. Ende nuk dihen rrethanat e vrasjes së 89-vjeçarit. Emri i tij ishte një problem i madh për komunitetin dhe shoqërinë amerikane. Arrestimi i tij ekzekutua 16 vite pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia amerikane, konkretisht në vitin 2011 në shtetin e Kalifornisë.

“Gangsteri”  ishte kapoja i bandës “Winter Hill” në Bostonin jugor, ndërsa historia  dhe veprimet e tij frymëzuan disa filma si: “Black Mass” me Johnny Depp dhe The “Departed”, i cili fitoi çmimin “Academy Award” 12 vite më parë.

Vdekja e tij vjen në të njëjtën ditë kur ai u transferua në burgun Hazelton në Virxhinian Perëndimore, aty ku vuajnë dënimin rreth 1,385 të burgosur.

Detajet e vdekjes ende nuk janë  bërë publike, por një zyrtar duke folur për CBS ka konfirmuar se ka ndodhur një vrasje në mëngjesin  e ditës së sotme. “Kjo është vrasja e tretë në shtatë muaj në burgun tonë”, tha Richard Heldreth në një intervistë telefonike.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb