Kryebashkiaku i Himarës Fredi Beleri do të kandidojë për eurodeputet për partinë “Demokracia e re” me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Kështu shkruan gazeta greke “Kathimerini”.

Mediat helene shkruajnë se Beleri do të jetë kandidat në listën që pritet të publikohet pasditen e kësaj të hëne, 15 prill, nga partia e kryeministrit grek.

Ekathemerini raporton se deri në mëngjesin e kësaj të hëne janë caktuar 41 nga 42 kandidatët e “Demokracisë së Re”, ku e vetmja çështje pezull është konfirmimi për futjen në listë të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës. Megjithatë, pavarësisht nga kandidimi, Beleri nuk ka asnjë shans të zgjidhet eurodeputet, për shkak të renditjes.

Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, dy ditë përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit. Ai së bashku me bashkëpunëtorin e tij në fushatë elektorale Pandeli Kokaveshi janë dënuar nga Shkalla e Parë e GJKKO-së për veprën penale të shit-blerjes së votave.

Beleri nuk e ka marrë dot detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk ia kanë mundësuar dhënien e lejes së posaçme për ta kryer betimin.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb