Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u largua të hënën mbrëma nga Brukseli për shkak të siç tha bllokadës që po i bën Kroacia përparimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

Ai duhej të merrte pjesë në takimin ndërqeveritar të së enjtes me Bashkimin Evropian që pritej të hapte tre kapituj të negociatave për anëtarësim të Serbisë.

Por, Kroacia, një nga dy vendet e ish federatës Jugosllave që i janë bashkuara BE-së, ka refuzuar hapjen e kapitullit të 26 për kulturën dhe arsimin për shkak të sic thuhet mospajtimeve rreth përkthimit të librave shkollore.

Ministri kroat për punë të Jashtme dhe çështje evropiane, Davor Ivo Stier, citohet të ketë thënë se “ka ca gjëra që Serbia duhet t’i përmbushë gjatë rrugës evropiane. Mbrojtja e plotë e pakicave kombëtare është një nga këto çështje”, citohet të ketë thënë ai.

Kroatët përbëjnë më pak se një për qind të popullsisë në Serbi. Gjuha kroate është e ngjashme me atë serbe dhe ishin pjesë e një gjuhe të përbashkët para shkatërrimit të Jugosllavisë.

Kryeministri serb, Vuçiç, tha shkurtazi para largimit nga Brukseli se “Serbia ishte shumë e durueshme por tani do të flasë ndryshe”.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian si kundërshpërblim për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovës, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë./VOA

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: