Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se amerikanët e kanë dëgjuar delegacionin serb ku këta të fundit, sipas Vuciç, kanë kërkuar të hiqet pika e marrëveshjes ku kërkohet njohja e Kosovës.

Vuçiç thotë se zyrtarët e Administratës e Trump ishin tw drejta dhe se pika për njohjen reciproke nuk është më në dokumente.

“Njerëzit nga administrata e Trump ishin tw drejtw, na dëgjuan dhe pika ku flitet për njohjen reciproke nuk është më në dokumente”, është shprehur Vuciç, raporton PTC, transmeton Gazeta Express.

Njeriu më besnik i Vuciç, Ministri i Financave, Siniša Mali, deklaroi sot se shefi i tij ka një letër në tryezë në takimin në Shtëpinë e Bardhë, një pikë e së cilës nënkupton njohjen e ndërsjellë të Serbisë dhe Kosovës, dhe se ekziston një presion i madh ndaj Presidentit Vuçiç. Por, këtë gjë sapo e ka demantuar Grenell përmes në shkrimin të mëposhtëm.

Grenell përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka shkruar se “nuk është e vërtetë”, lajmi i ‘The Pavlovic Today’ se presidentit Vuçiq i është ofruar dokumenti për të nënshkruar njohjen e Kosovës.

Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të enjten po zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiç, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

Nikoqirë të takimit janë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.

Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb