Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka biseduar të enjten me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill, për rëndësinë e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të situatës në Kosovë, dhe ka fajësuar institucionet e Kosovës për diçka të tillë.

Vuçiç ka diskutuar me Hillin për situatën e sigurisë në Kosovë, si dhe për propozimin e Bashkimit Evropian lidhur me vazhdimësinë e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania, ka dalë së fundi me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Propozimi – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar më 6 dhjetor pasi disa grupe të qytetarëve serbë në veri kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri.

Për incidente të tilla është raportuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një ditë më vonë, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për dy shpërthime me shok bomba.

Zgjedhjet për komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan – janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave në RKS – Republika e Kosovës.

Përveç tyre, edhe serbët lokalë janë tërhequr nga institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe lokal, përfshirë Policinë e Kosovës dhe gjyqësorin.

Përgjatë takimit me Hillin, Vuçiq e ka përmendur nevojën e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, mirëpo po ashtu është e vendosur për mbrojtje të njerëzve dhe interesave kombëtare”, ka thënë ai.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb