Presidenti rus, Vladimir Putin, ka konfirmuar se do të vizitojë Serbinë në muajin tetor për hapjen e Tempullit Shën Sava, ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, pas takimit me presidentin rus në Moskë, raporton agjencia e lajmeve, Tanjug.

Vuçiç është në një vizitë zyrtare në Moskë, gjatë së cilës ai do të marrë pjesë në një paradë ushtarake, të planifikuar më 24 qershor, për të shënuar 75-vjetorin e fitores mbi fashizmin në Luftën e Dytë Botërore.

Vuçiç është cituar të ketë thënë se ka pasur një bisedë shumë të mirë me Putinin për të gjitha çështjet kryesore politike, dhe mbi të gjitha për Kosovën dhe situatën e përgjithshme në rajon dhe botë.

Sipas tij, ai ka marrë analiza të mira dhe këshilla të caktuara nga presidenti Putin.

“Unë pres forcimin e mëtejshëm të besimit dhe bashkëpunim edhe më të mirë në të ardhmen”, ka thënë presidenti serb.

Vuçiq ka konfirmur se do të udhëtojë të enjten drejt Brukselit për të biseduar me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Më pas ai do të niset drejt Uashingtonit, për t’u takuar me zyrtarët e Kosovës, në një organizim të ndërmjetësuar nga Richard Grenell, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nëse janë të vërteta raportimet e disa mediave se presidenti amerikan, Donald Trump do të jetë pjesë e takimit në Uashington, Vuçiç ka thënë se nuk e beson një gjë të tillë.

Sipas tij, Trump mund të jetë i pranishëm vetëm nëse arrihet një zgjidhje.

“Unë mendoj se Richard Grenell ka konfirmuar se bisedimet do të jenë për marrëdhëniet ekonomike”, tha Vuçiç, duke shtuar se nuk mendon që ka qenë rastësi fakti që zyrtarët amerikanë kanë mbështetur idenë e një “Mini-Shengen”, sepse, siç tha ai, ai sjell një jetë më të mirë në Ballkan.

Mini-Shengeni Ballkanik është iniciativë përmes së cilës synohet të përmirësohet bashkëpunimi rajonal.

Përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë patën përkrahur këtë nismë, por jo edhe ata të Kosovës dhe Bosnjës./rel

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: