Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka zbuluar detaje nga takimi me Përfaqësuesin Special të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. “Kemi pasur një takim racional të mirë për të ardhmen e dialogut Beograd-Prishtinë. Ajo çfarë është e rëndësishme se kemi diskutuar për vazhdimin e dialogut duke shprehur gatishmërinë e Serbisë në këtë dialog”, -ka theksuar Vuçiç.
Presidenti serb gjithashtu tha se është më mirë të ketë çfarëdo dialogu sesa mos të ketë fare. Ndër të tjera Vuçiç foli dhe për planin e implementimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, që sipas tij shumë pak flitet në opinion në Serbi.
“Do t’ju tregoj për aktin që shumë pak flitet dhe që askush deri më tani në opinionin publik nuk e ka parë. Është plani i implementimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë që bazohet në gjashtë pika”, shtoi Vuçiç. Pika një sipas presidentit serb flet për rregullimin e kornizës ligjore, e dyta Asociacionin, e treta për Policinë, e katërta për gjyqësorin, e pesta për zgjedhjet lokale dhe e gjashta për dispozitat e përgjithshme.