Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ka bërë thirrje “miqve tradicionalë” të vendit të tij, Kinës dhe Rusisë, si dhe vendeve perëndimore që të vënë në rendin e ditës çështjen e Kosovës në seancën e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Po shkoj në Nju Jork, në një seancë të rëndësishme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku do të kemi një sërë takimesh shumë të rëndësishme me presidentë dhe krerë qeverish”, tha ai në një konferencë për shtyp të premten.
“Ne po kërkojmë nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, miqtë tanë tradicionalë, përkatësisht Kina dhe Rusia, si dhe të gjithë të tjerët që ta shikojnë situatën në Kosovë përmes arsyetimit e jo përmes prizmit se kush e krijoi pavarësinë e Kosovës” tha Vuçiç.
“Përpjekjet e Serbisë për të garantuar respektimin e kushtetutës së saj, të drejtës ndërkombëtare publike, si dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara nuk mund të interpretohen si një akt nxitjeje, sepse Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap që mund të shkaktojë përshkallëzim, probleme apo konflikte”, shtoi ai.