Formimi i paralajmëruar i ushtrisë së Kosovës dhe mosheqja dorë nga taksa mbi prodhimet e Serbisë që hyjnë në Kosovë, “do të kenë pasoja katastrofike” është shprehur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. “Dikush të vetëdijesojë Prishtinën sa më shpejt që është e mundur,” u shpreh ai.

Vuçiç paralajmëroi se mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën në Kosovë.

Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të imporrtuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina dhe kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ajo nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.

“Dua t’i njoftoj se Serbia nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe se me Serbinë nuk mund të flitet kështu”, tha Vuçiç, duke iu referuar deklaratave të Haradinajt.

Vuçiç po ashtu tha se formimi i ushtrisë së Kosovës nuk është në përputhje as me Kushtetutën e Kosovës dhe e çon rajonin në shkallën më të lartë të rrezikut, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Të hënën, autoritetet e Kosovës paralajmëruan se, më 14 dhjetor, Kuvendi i Kosovës do t’i votojë projektligjet që e transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në forcë me kapacitete ushtarake.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: