BEOGRAD– Nuk do të heq dorë kurrë nga ideja për një ditë përkujtimore të përbashkët për të gjitha viktimat e luftërave jugosllave dhe jam krenar për këtë dhe besoj se për këtë arsye rajoni i Ballkanit Perëndimor do të jetojë në paqe, që e shoh të realizuar në një periudhë dy ose trevjeçare, deklaroi kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç.

“Ideja ime për një ditë të përbashkët përkujtimore është produkt i ndërgjegjësimit se çdokush që jeton në rajonin tonë ka sy vetëm për vuajtjet që përjeton vetë. Ai nuk kanë sy për anën tjetër të medaljes, që do ta ndihmonte shumë”, u shpreh ai për gazetën serbe “Kurir”.

“Duhet t’i hapim sytë dhe të pranojmë se të gjitha palët kanë kryer krime. Duhet t’i respektojmë viktimat e tjera në të njëjtën mënyrë siç respektojmë vetveten dhe të hedhim sytë nga e ardhmja”, theksoi Vuçiç.

I pyetur nëse ka kuptim kjo ide, duke marrë parasysh faktin se kryeministri kroat, Zoran Milanoviç nuk e ka pranuar këtë iniciativë, Vuçiç tha se është i sigurtë që kjo do sjellë rezultate.

“Nuk do të heq dorë. Do flas hapur për këtë. Jam krenar për këtë iniciativë dhe besoj se kjo është një ide serioze dhe me shumë përgjegjësi, që nuk nënkupton mposhtjen politike të dikujt, por që duhet të na hapë sytë dhe të na përlotë”, përfundon ai.

(ma.ar/tanjug/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: