SERBI

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përsëriti të premten se nuk do të ketë vazhdim të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, derisa kjo e fundit nuk e heq taksën 100% që ka vënë mbi prodhimet e importuara nga Serbia. Vuçiç tha se shpreson se autoritetet e Kosovës do ta kuptojnë se pa bisedime nuk mund të ketë zgjidhje.

“…Por, nëse nuk duan, nuk duan. Nuk mund ta detyrojmë askënd. Problemi është se unë nuk e di se çfarë duan, çfarë kërkojnë prej nesh dhe çfarë prej botës”, tha Vuçiç në Vranjë. Ai shtoi se Serbia, edhe nëse nuk arrin marrëveshje me Kosovën, do të jetë mjaft e fortë që të vazhdojë të ndërtojë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.

Kujtojmë që Kosova u ka vënë taksë importeve nga Serbia dhe Bosnjë- Hercegovina në nëntor të vitit të kaluar. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se taksa është në kundërshtim me interesat amerikanë. Nuk ka munguar edhe apeli nga ana e  zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb